Rama: Marrëveshja me SHBA dhe Greqinë çon Shqipërinë drejt pavarësisë energjetike dhe rolit rajonal
Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të sigurisë energjetike, duke nënshkruar një marrëveshje të madhe bashkëpunimi me partnerë nga SHBA dhe Greqia. Në qendër të saj është diversifikimi i burimeve të energjisë dhe reduktimi i varësisë nga prodhimi hidrike dhe importet.
Marrëveshja, e lidhur nga kompania shtetërore Albgaz me kompani ndërkombëtare, parashikon një projekt të gjerë në fushën e gazit natyror, që përfshin furnizimin nga SHBA dhe shpërndarjen në tregjet e Europës Jugore. Ky investim, me vlerë miliarda dollarë, konsiderohet një ndër më të mëdhenjtë në sektorin energjetik në vend.
Gjatë një aktiviteti mbi sigurinë energjetike, kryeministri Edi Rama theksoi se partneriteti me SHBA-në është thelbësor për transformimin e sektorit dhe për rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike. Ai rikujtoi edhe sfidat e së kaluarës, kur sistemi energjetik përballej me keqmenaxhim dhe vështirësi financiare, ndërsa sot situata paraqitet ndjeshëm më e stabilizuar.
“Ka qenë dikur një moment në jetën tonë kur energjia ishte thjesht çështje furnizimi për të mbajtur dritat ndezur sa më gjatë të jetë e mundur në harkun e 24 orëve. Nga ana tjetër jetojmë në një vend ku deri një dekadë më parë gjysma e popullsisë paguante për gjysmën tjetër”, tha Rama.
Sipas tij, reformat e ndërmarra kanë sjellë një sistem më të drejtë dhe funksional, ku çdo konsumator paguan për energjinë që përdor. Ai nënvizoi se investimet aktuale synojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend eksportues neto të energjisë së rinovueshme brenda këtij mandati.
“Shqipëria ka zgjedhur të kalojë përmes një procesi mjaft të dhimbshëm reformash energjetike. Ndërkohë që flasim nuk ka më padrejtësi në sistem si më parë. Gjithkush paguan atë që konsumon”, u shpreh ai.
Në fokus të strategjisë mbetet edhe zgjerimi i burimeve të energjisë, përfshirë projektet me energji nga era dhe zhvillimi i infrastrukturës për gazin natyror. Qëllimi, sipas kreut të qeverisë, është që vendi të shndërrohet në një qendër energjetike rajonale, duke kombinuar prodhimin, shpërndarjen dhe tregtinë e energjisë.
“Shqipëria do të shndërrohet në një aset të rëndësishëm energjetik në rajon, duke përfshirë prodhimin e energjisë, infrastrukturën dhe tregjet rajonale. Partneriteti me SHBA-të kombinon sigurinë afatgjatë në furnizime, zhvillimin e infrastrukturës kritike dhe një angazhim të përbashkët gjeopolitik”, deklaroi Rama.







