×
Sunday, April 19, 2026

Rama: Kamera inteligjente në akset rrugore, videoregjistrim në ambientet e shkollave

September 19, 2025


Kryeministri Edi Rama tha sot, gjatë prezantimit të Albana Koçiut në pozicionin e ministres së Punëve të Brendshme, se “transformimi teknologjik i gjithë sistemit të punëve të brendshme përmes inovacionit, është një tjetër problem shumë i madh”.

Duke folur për teknologjinë, Rama solli në vëmendje edhe marrëveshjen me Emiratet Arabe.

“Na janë dashur muaj të tërë, që mund të mbushin edhe vitin, për të konkluduar këtë sistem këtu, marrëveshjen më të rëndësishme për sigurinë, marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara, që tani më në fund u konkludua dhe që do të na japë mundësinë të kemi qytetet inteligjente, mbulim tërësor me kamera inteligjente: nga rrugët tek shkollat, brenda shkollës, brenda klasës, për të na dhënë një nivel sigurie të standardit më të lartë europian, një nivel sigurie që nuk e kanë edhe vende të mëdha europiane. Se është bekimi i teknologjisë, që mund të jesh një vend i vogël dhe që mund të jesh shumë mbrapa në raport me një vend të madh dhe shumë të zhvilluar, po teknologjia të jep mundësinë që ta kapërcesh edhe atë. Mirëpo, hajde gjeje me juristët e Punëve të Brendshme dhe me juristët e Policisë, një histori pa mbarim, sepse kjo administratë këtu dhe administrata atje te Lana, e Ministrisë së Jashtme, kanë një tabiat të vjetër: “Lëre siç është, se është më mirë; Mos i hy fare që të shohësh se si mund të bëhet më mirë, se më mirë s’ka, se pastaj bëhet më keq”, tha Rama.

Kryeministri Rama shtoi se “për t’i adresuar domosdoshmërinë kësaj sfide dhe ngritjes në një nivel tjetër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministrja sjell me vete një eksperiencë të gjatë në administratë. E ka filluar që nga niveli i parë, siç mund të jenë disa vajza të reja këtu, punonjëse të nivelit të parë; ka drejtuar për 10 vjet Departamentin e Administratës Publike të Republikës së Shqipërisë. Edhe në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale ka demonstruar aftësi drejtuese dhe mbi të gjitha, këmbëngulje dhe motivim të njerëzve me të cilët ka punuar në të gjitha punët. Dhe ministrja do të duhet të udhëheqë si të gjithë ministrat e tjerë në fakt, përshkallëzimin e revolucionit digjital dhe futjen e inteligjencës artificiale edhe këtu në administratën e Punëve të Brendshme”.

“Nuk e kam fjalën për të krijuar një Diellë-polic këtu, por e kam fjalën për të futur inteligjencë artificiale në mënyrë që të rrisim parametrat e sigurisë në tërësi. Dhe këto parametra siç do ta them në një copëz që kam shkëputur nga programi, që nuk e prezantova dot dje, lidhen në pjesën më të madhe të tyre me punët e brendshme”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se do të ketë siguri më të lartë në rrugë, ku do të mbulohen me kamera inteligjente akset kryesore kombëtare dhe qytetet e mëdha si fillim.

“Siguri më e lartë në shkolla, ku do u vendosim në dispozicion drejtorive dhe këshillave të prindërve një sistem videoregjistrimi të të gjithë veprimtarisë brenda shkollës, i cili do të jetë i aksesueshëm në çdo rast dhe për çdo nevojë nga Policia e Shtetit dhe nuk do ketë më historira, sa thika ishin, largqoftë, dhe kush i ra mes shpullë i pari të dytit, se pastaj kjo përshkallëzohet në shkuljen e flokëve të prindit me prindin dhe pastaj të prindit me mësuesin dhe pastaj të drejtorit apo drejtoreshës me mësuesen”, theksoi Rama.

Më tej Rama e vuri theksin edhe tek siguria më e lartë në mbrojtjen e territorit të plazheve, të lumenjve, përmes survejimit ajror me dronët inteligjentë dhe satelitorë.

“Tanimë e kemi në një fazë të avancuar, por që na mungon edhe një komponent i fundit për ta bërë përfundimisht në kohë reale, të dallueshëm çdo cenim të territorit, në kohë reale, jo siç e kemi sot që mund ta bëjmë në mënyrë periodike, por në kohë reale”, shtoi Rama.

Kryeministri Rama u ndal edhe tek siguria në qarkullimin e mallrave, që sipas tij, kjo nuk lidhet drejtpërdrejt me këtë ministri.

“Por po lexoj si pjesë të tërësisë të adresimeve me inteligjencë artificiale të çështjeve të sigurisë, që nga barnat mjekësore dhe ushqimet e importit deri tek nafta, niveli i gjurmimit të të cilave përmes teknologjisë do të ngjitet në standardin më të lartë bashkëkohor, falë edhe kompanisë së re shtetërore që kemi krijuar, “AlbTrace”, e cila është një kompani ekselence e lindur nga marrëveshja me kompaninë simotër në Emiratet e Bashkuara, që konsiderohet një pesë kompanitë më të zhvilluara në botë për gjurmueshmërinë e çdo lloj malli”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama nënvizoi se “siguria më e lartë kibernetike për fortifikimin e mëtejshëm të Shqipërisë ndaj sulmeve të aktorëve malinjë mbi infrastrukturën tonë kritike apo digjitale e pa dyshim, siguria më e lartë nga zjarret që i lashë në fund, jo nga rëndësia por për shtuar, lidhur me sa më lart, që teknologjia digjitale apo edhe inteligjenca artificiale mund të na ndihmojnë shumë, por nuk e zëvendësojnë dot as respektin për rregullat e qarkullimit dhe kjo nuk është një çështje e Policisë, saç është një çështje e Ministrisë së Brendshme, për sa i përket edukimit”.

“Natyrisht, Policia mund të luajë çdo rol, por duhet lidershipi i Ministrisë së Brendshme, as punën e mësuesit dhe të prindit nuk e zëvendëson dot IA, as përgjegjshmërinë qytetare në raport me pronën, në raport me mjedisin, në raport me pyjet, në raport me të gjitha ato që prekin punët e brendshme dhe as institucionet përkatëse nuk i zëvendëson dot”, përfundoi Rama.




Comments are closed.