Rama: Isha skeptik për administratën, më surprizoi në negociatat me BE

09 Oct 2026 • 16:28
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka pranuar se kishte pasur dyshime për aftësinë e administratës shqiptare për të përballuar procesin e negociatave me Bashkimin Europian, por se përvoja e deritanishme i ka ndryshuar pritshmëritë e tij.

Gjatë prezantimit të reformës “Shkalla e Meritës”, Rama deklaroi se administrata publike ka treguar një nivel përgatitjeje dhe profesionalizmi më të lartë nga sa kishte parashikuar.

“E vërteta është që e kam thënë dhe herë të tjera, që vetë unë kam qenë shumë skeptik për mundësitë e rritjes reale të administratës sonë. Jo vetëm skeptik, por edhe i shqetësuar”, u shpreh kryeministri.

Reklamë Ola

Rama shpjegoi se shqetësimi i tij lidhej veçanërisht me periudhën pas hapjes së negociatave të anëtarësimit, kur institucionet shqiptare do të përballeshin me kërkesa dhe detyrime të shumta në raport me Bashkimin Europian.

Sipas tij, pikërisht gjatë këtij procesi, administrata shqiptare dëshmoi kapacitete që ai nuk i kishte vlerësuar më parë në të njëjtën mënyrë.

Reklamë InterMedika

“Ka qenë një nga surprizat më të mirëseardhura. Sepse ajo çka reflektohej si skuadra e madhe e përfaqësuesve të Shqipërisë, ishte një administratë shqiptare krejt tjetër nga ajo që unë vetë kisha ndërmend”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë pranoi gjithashtu se perceptimi i tij i mëparshëm ishte ndikuar edhe nga diskutimet dhe kritikat publike për funksionimin e administratës.

Ai theksoi se rezultatet e treguara gjatë negociatave krijojnë mundësi për të vijuar më tej me ndryshimet dhe përmirësimet në administratën shtetërore.

“Padyshim që, kur ne e kuptuam këtë në një test kaq sfidues, kuptohet që ne mund të shtyjmë më tutje”, tha kryeministri.

Deklaratat u bënë gjatë prezantimit të reformës “Shkalla e Meritës”, e cila synon forcimin e meritokracisë, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë në administratën publike.

Reforma është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për modernizimin e institucioneve shtetërore, në funksion të objektivit të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.