Kryeministri Edi Rama deklaroi se protesta, e cila sipas tij ka hyrë në ditën e 51-të, është ndarë në dy kampe, duke përdorur metaforën e “flamingove” dhe “sorrave” për të përshkruar pjesëmarrësit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama tha se “flamingot” përfaqësojnë Shqipërinë e re dhe të ardhmen e vendit, ndërsa ata që i cilësoi si “sorra dhe korba” i akuzoi se kanë marrë peng protestën dhe e kanë shndërruar në një pasqyrim të opozitës.
“Për çfarë unë kam reflektuar personalisht nga pasqyra e bulevardit të flamingove është temë tjetër dhe do ta ndaj me të gjithë në ditët në vijim. Por ai bulevard është shumë i ndarë, për mua të paktën. Është i ndarë për historinë. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re, kurse historia e sorrave dhe korbave që e kanë marrë peng dhe e kanë kthyer në një shëmbëlltyrë simetrike me jashtënxjerrjen e asaj opozite që nuk dihet më ku është, nuk ka asnjë lidhje me historinë e të ardhmes së Shqipërisë. Ka lidhje vetëm me të shkuarën”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se, sipas tij, ekstremet politike përbëjnë rrezik për vendin.
“Ekstremet e majta dhe të djathta që vijnë për të sjellë më të keqen për një vend përmes sharlatanësh, injorantësh dhe dështakësh e zemërakësh të pangushëllueshëm”, deklaroi ai.
Komentet e Ramës vijnë në vijim të reagimeve të tij të fundit lidhur me protestën, ku ai ka përdorur vazhdimisht metaforën e “flamingove” dhe “korbave” për të përshkruar atë që e konsideron përballje mes vizionit për të ardhmen dhe, sipas tij, përfaqësuesve të së shkuarës.