×
Tuesday, July 21, 2026

Fluks rekord në Rinas, deri në 56 mijë pasagjerë në ditë gjatë sezonit turistik

July 21, 2026


Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po përballet me një fluks rekord udhëtarësh gjatë sezonit turistik, me 50 deri në 56 mijë pasagjerë që përpunohen çdo ditë.

Për të menaxhuar numrin e lartë të udhëtarëve, Policia Kufitare ka kaluar në shërbim 12-orësh dhe ka rritur me rreth 20% numrin e efektivëve të angazhuar në terren.

Njëkohësisht, janë ndërmarrë masa për përshpejtimin e procedurave të kontrollit kufitar, përmes zgjerimit të përdorimit të sistemit elektronik e-Gate dhe modernizimit të pajisjeve të kontrollit.

Sipas Policisë së Shtetit, ulja e moshës minimale për përdorimin e portave automatike e-Gate nga 16 në 12 vjeç, përmirësimi i sistemit TIMS dhe zëvendësimi i pajisjeve të kontrollit kufitar kanë ndikuar në uljen e kohës së pritjes dhe rritjen e kapaciteteve të përpunimit të pasagjerëve.

Pavarësisht lehtësimit të lëvizjes, autoritetet theksojnë se siguria kufitare mbetet prioritet.

Kontrollet vijojnë të bazohen në analizën e riskut, me fokus parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm.

Sipas Policisë së Shtetit, bashkëpunimi mes institucioneve të angazhuara në aeroport ka bërë të mundur përballimin e fluksit të lartë të udhëtarëve, duke garantuar njëkohësisht standardet e sigurisë dhe ofrimin e një shërbimi më të shpejtë për pasagjerët.




Comments are closed.