Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka përmbyllur mandatin e tij trevjeçar në vendin tonë, duke u nderuar nga kryeministri Edi Rama me Yllin e Madh të Mirënjohjes.
Pas ceremonisë, Gonzato publikoi një mesazh falënderues në rrjetet sociale, ku shprehu mirënjohjen për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë, ndërsa theksoi se vendi po afrohet gjithnjë e më shumë me synimin për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë për mua shumë më tepër sesa një treg apo një ekonomi e përbashkët. Ai ka të bëjë me njerëzit dhe vlerat që ndajmë: lirinë, barazinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit. Këto vlera më kanë udhëhequr gjatë tri viteve të mia në Shqipëri”, shkroi ai.
Diplomati evropian u shpreh mirënjohës për njerëzit që ka njohur gjatë shërbimit të tij dhe për mundësinë që të ishte pranë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
“Jam mirënjohës për të gjithë shqiptarët e jashtëzakonshëm që kam takuar gjatë këtij rrugëtimi. Jam mirënjohës që kam qenë pranë tyre, ndërsa Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, theksoi Gonzato.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian ka qenë kërkues, por i drejtë ndaj Shqipërisë, duke nxitur përfshirjen e të gjithë aktorëve në rrugën drejt integrimit.
“Kemi qenë kërkues, por të drejtë. Kemi bërë thirrje që të gjithë të jenë pjesë e këtij rrugëtimi drejt një shoqërie ku secili mund të japë kontributin e tij, ku institucionet mbrojnë të drejtat e çdo qytetari dhe ku brezi i ri ka zërin e tij në formësimin e së ardhmes së këtij vendi të bukur”, u shpreh ai.
Në fund të mesazhit, Gonzato falënderoi kryeministrin Edi Rama për dekoratën e akorduar në emër të shtetit shqiptar.
“Faleminderit Kryeministër Edi Rama që më nderuat, në emër të Shqipërisë, me Yllin e Madh të Medaljes ‘Benemerenti’. Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën. Shihemi në BE”, përfundoi ambasadori në largim.