Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cilësoi të papranueshme situatën e krijuar në Bolonjë pas protestave të dhunshme që shpërthyen pas vdekjes së një 42-vjeçari maroken gjatë një operacioni policor.
Në një reagim publik, Meloni deklaroi se rasti duhet të hetohet me rigorozitet maksimal dhe se e vërteta duhet të zbardhet pa paragjykime dhe pa përjashtime për askënd.
Megjithatë, ajo theksoi se asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj forcave të rendit.
“Personat që zgjodhën ta përdorin këtë incident si një pretekst për të përfshirë qytetin në dhunë, për të sulmuar efektivët dhe për të përhapur trazira – duke rrezikuar edhe sigurinë e qytetarëve të pafajshëm, që nuk kishin asnjë lidhje me protestat – nuk kërkonin të vërtetën, por përplasje”, deklaroi kryeministrja italiane.
Deklarata e Melonit vjen pas përleshjeve mes protestuesve dhe policisë në qytetin universitar të Bolonjës, i njohur tradicionalisht si një bastion i forcave politike të majta.
Sipas autoriteteve italiane, 64 efektivë policie mbetën të plagosur gjatë trazirave, ndërsa shërbimet e emergjencës raportuan edhe 11 të plagosur të tjerë.
Ngjarja u shkaktua pas vdekjes së Abderrahim Fakir, një shtetas maroken 42-vjeçar, i cili jetonte në Itali prej më shumë se 30 vitesh. Ai humbi jetën të dielën pasi u ndalua nga dy efektivë policie në një rrugë të Bolonjës.
Pamjet filmike të regjistruara nga një banor tregojnë Fakirin të shtrirë me fytyrë përtokë, me duart e prangosura pas shpine, ndërsa dëgjohet duke bërtitur disa herë: “Ndihmë. Mjaft, mjaft!”, përpara se të mbetej i palëvizur. Më pas, një mjek konfirmoi vdekjen e tij.
Rasti ka nxitur reagime të forta në Itali dhe akuza për përdorim të tepruar të forcës nga policia.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme italiane ka garantuar se hetimi do të zhvillohet me “transparencë të plotë”, për të sqaruar rrethanat e vdekjes së 42-vjeçarit.