Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila, duke folur për Kosovën, tha se po të kishte qenë në krye të shtetit në vitin 1998, do t’i kishte “spastruar etnikisht shqiptarët”.
Në një reagim publik, Nufi e cilësoi deklaratën si skandaloze dhe të papranueshme, duke theksuar se çdo referencë apo relativizim i spastrimit etnik dhe i krimeve të kryera gjatë luftërave në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë është i papranueshëm dhe cenon kujtesën e viktimave.
Sipas tij, deklarata është dënuar edhe nga zëra në Serbi që nuk ndajnë pikëpamje ultranacionaliste.
“Deklarata është skandaloze, e papranueshme dhe çdo koment tjetër është i pavend. Ajo deklaratë është dënuar edhe në Serbi, nga ata që nuk bëjnë pjesë te ultranacionalistët, të cilët kanë shprehur reagimin e tyre,” u shpreh Nufi.
Ministri theksoi se qeveria serbe duhet të distancohet qartë nga deklarata e ministres Paunoviq dhe ta dënojë atë, pasi retorika të tilla nuk i shërbejnë marrëdhënieve të mira fqinjësore.
“Çdo deklaratë që lidhet me spastrimin etnik apo me një periudhë mjaft të errët të asaj që ka ndodhur në Kosovë apo në Bosnje e Hercegovinë është e papranueshme. Është në nderin e atyre që e kanë në krah atë ministre serbe që ta denoncojnë dhe të distancohen prej saj,” deklaroi ai.
Reagimi i Nufit vjen pas polemikave të shkaktuara nga deklarata e ministres serbe, e cila ka nxitur kritika të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.