Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, do të mbajnë këtë të enjte një konferencë të përbashkët për mediat. Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, konferenca është planifikuar në orën 11:30.
Konferenca vjen një ditë pas publikimit të progresraportit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Brukseli vlerësoi përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE, ndërsa ngriti shqetësime për funksionimin e institucioneve demokratike dhe mbikëqyrjen e pamjaftueshme të qeverisë nga Kuvendi.
Raporti vlerëson pozitivisht punën e SPAK-ut dhe të institucioneve të drejtësisë, por kritikon përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor, përfshirë Prokurorinë e Posaçme. Komisioni ngre shqetësime edhe për sulmet personale ndaj magjistratëve dhe kërkon plotësimin e vendeve vakante në sistem, pasi mungesa e personelit ndikon në vonesat e shqyrtimit të çështjeve.
Sipas raportit, paraburgimi mbetet masa shtrënguese më e përdorur gjatë hetimeve dhe në pritje të gjykimit. Komisioni u kërkon institucioneve përgjegjëse të përdorin më mirë masat alternative ndaj paraburgimit.
Sa u përket protestave në Tiranë, Komisioni Europian u bën thirrje të gjitha palëve të angazhohen në dialog konstruktiv.


