Qeveria miraton shënjimin e detyrueshëm të karburanteve për të luftuar evazionin

31 Jul 2026 22:17
Shpërndaje:

Qeveria ka miratuar projektvendimin për shënjimin e detyrueshëm të naftës dhe benzinës, një masë që synon monitorimin e karburanteve në çdo hallkë të zinxhirit të furnizimit dhe forcimin e luftës kundër evazionit fiskal.

Sipas Ministrisë së Financave, sistemi i ri “Fuel Integrity Solution” do të mundësojë gjurmueshmërinë, kontrollin dhe monitorimin e karburanteve gjatë gjithë qarkullimit të tyre, ndërsa të dhënat do të jenë pronë e shtetit dhe e administratës doganore.

Shërbimi do të ofrohet nga shoqëria “ALBTrace CO”, e cila do të jetë përgjegjëse për realizimin e komponentit teknik dhe operacional të sistemit, duke përfshirë pajisjet e nevojshme, testimet në terren dhe mbështetjen e proceseve të monitorimit nën mbikëqyrjen e administratës doganore.

Reklamë Ola

Sipas projektvendimit, kompanitë që importojnë ose tregtojnë karburante do të paguajnë një tarifë prej 6.5 euro, pa TVSH, për çdo 1.000 litra karburant të shënjuar.

Vendimi ndalon importimin, tregtimin, transportimin apo magazinimin e karburanteve që nuk janë shënjuar sipas procedurave të reja. Pas procesit të shënjimit, çdo ngarkesë do të pajiset me certifikatë, ndërsa administrata doganore do të kryejë kontrolle në terren për të verifikuar zbatimin e sistemit.

Reklamë InterMedika

Regjimi i ri do të hyjë në fuqi pas një periudhe implementimi deri në gjashtë muaj. Pas përfundimit të kësaj faze, asnjë karburant që i nënshtrohet sistemit nuk do të lejohet të hidhet në treg pa kaluar procesin e detyrueshëm të shënjimit dhe monitorimit.