Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore, duke synuar modernizimin e institucioneve publike, rritjen e llogaridhënies dhe përafrimin me standardet evropiane të administrimit publik.
Pas 14 vitesh zbatim, një nga aktet bazë që rregullon veprimtarinë e administratës shtetërore do të pësojë ndryshime të rëndësishme, të fokusuara te performanca, transparenca dhe efikasiteti i institucioneve.
Një nga risitë kryesore të projektligjit është krijimi i një sistemi të unifikuar për monitorimin e performancës së administratës shtetërore. Për herë të parë, institucionet do të raportojnë sipas standardeve të njëjta dhe raportet e performancës do të publikohen për qytetarët, duke rritur transparencën dhe mundësuar vlerësimin e rezultateve të administratës publike.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu riorganizimin e institucioneve joministrore në dy kategori kryesore: institucione varësie dhe agjenci autonome. Qeveria argumenton se kjo ndarje do të qartësojë përgjegjësitë, do të forcojë mbikëqyrjen dhe do të rrisë llogaridhënien ndaj ministrive përgjegjëse.
Projektligji synon gjithashtu të frenojë fragmentarizimin e administratës, duke kufizuar krijimin e institucioneve me numër të vogël punonjësish, funksionet e të cilave mund të kryhen në mënyrë më efikase nga ministritë ekzistuese.
Në nivelin e menaxhimit të brendshëm, reforma forcon rolin e drejtorive të përgjithshme, të cilat do të kenë më shumë kompetenca në vendimmarrjen për proceset rutinë administrative. Sipas qeverisë, kjo do të ulë centralizimin e vendimmarrjes dhe do t’u japë sekretarëve të përgjithshëm më shumë hapësirë për t’u fokusuar te drejtimi strategjik i institucioneve.
Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me përcaktimin e kritereve të qarta për kalimin e institucioneve në varësi të Kryeministrit, me qëllim shmangien e mbingarkesës së qendrës së qeverisjes dhe fokusimin e saj në koordinimin e politikave strategjike.
Ndikimi më i drejtpërdrejtë për qytetarët pritet të vijë nga vendosja e rregullave të reja për rekrutimin, zhvillimin në karrierë dhe largimin nga puna të punonjësve të shërbimeve publike që funksionojnë sipas Kodit të Punës, përfshirë spitalet, shkollat dhe institucionet sociale. Synimi është rritja e profesionalizmit, integritetit dhe cilësisë së shërbimeve publike.
Sipas qeverisë, ndryshimet janë hartuar në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe OECD/SIGMA dhe synojnë ndërtimin e një administrate moderne, më efikase dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve.