×
Thursday, June 11, 2026

Begaj në Samitin e SEECP: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE mbetet kyç për stabilitetin e rajonit

June 10, 2026


Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje, ku theksoi rëndësinë e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, forcimit të sigurisë rajonale dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik e infrastrukturor mes vendeve të rajonit.

Samiti, i zhvilluar nën temën “Forcimi i unitetit rajonal për një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt, reflektim mbi 30 vite partneritet dhe progres”, shënoi gjithashtu 30-vjetorin e krijimit të SEECP-së.

Në prani të presidentëve, kryeministrave dhe përfaqësuesve të qeverive të vendeve anëtare, Kreu i Shtetit e cilësoi SEECP-në si një platformë të rëndësishme që ka kontribuar në progresin e rajonit dhe vazhdon të formësojë të ardhmen e përbashkët evropiane të vendeve të Evropës Juglindore.

Gjatë konferencës për shtyp, ku mori pjesë së bashku me presidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova, dhe ministren e Jashtme të Rumanisë, Oana-Silvia Țoiu, Begaj theksoi se bashkëpunimi rajonal është një domosdoshmëri për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Ne po punojmë fort për ndërlidhshmërinë, në mënyrë të veçantë në infrastrukturën strategjike, Korridorin VIII, Porto Romanon, si edhe korridorin Adriatiko-Jonian”, deklaroi Presidenti.

Sipas tij, bashkëpunimi në rajon duhet të përkthehet në rezultate konkrete për qytetarët, përmes investimeve në infrastrukturë, rritjes së tregtisë, përmirësimit të lëvizshmërisë dhe krijimit të mundësive të reja ekonomike.

Begaj konfirmoi gjithashtu përkushtimin e Shqipërisë ndaj procesit të integrimit evropian, duke theksuar se vendi po vijon zbatimin e reformave me synimin për të avancuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj kësaj rruge. Ne po avancojmë agjendën tonë të reformave dhe po ecim përpara në procesin e anëtarësimit në BE, me objektivin për ta përmbyllur këtë proces brenda kësaj dekade”, u shpreh ai.

Presidenti nënvizoi se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor mbetet thelbësore për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e të gjithë rajonit, ndërsa shtoi se procesi i integrimit duhet të mbetet i besueshëm, i parashikueshëm dhe i bazuar në rezultate konkrete.

Në përfundim të samitit, liderët miratuan Deklaratën e Sofjes, ndërsa presidenca e SEECP-së iu transferua zyrtarisht Rumanisë.

Gjatë qëndrimit në Sofje, Presidenti Begaj zhvilloi edhe një takim me homologun bullgar, Rumen Radev, ku u diskutua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.




Comments are closed.