×
Thursday, June 11, 2026

Balla nga Rrogozhina: Me Ramën kemi fituar 9 nga 10 beteja elektorale

June 10, 2026


Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Tiranë, Taulant Balla, mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Rrogozhinë në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ku vlerësoi kontributin e socialistëve ndër vite dhe sukseset elektorale të forcës politike në pushtet.

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se Rrogozhina dhe njësitë e saj përbërëse kanë qenë historikisht ndër zonat që i kanë dhënë mbështetje Partisë Socialiste që prej zgjedhjeve të para pluraliste të 12 qershorit 1991.

“Rrogozhina bashkë me njësitë e veta përbërëse kanë qenë prej 12 qershorit 1991 zona zgjedhore në të cilat ne kemi marrë historikisht mbështetjen”, u shpreh ai.

Balla e cilësoi këtë përvjetor si një moment të rëndësishëm për Partinë Socialiste, duke theksuar se Shqipëria ndodhet sot më pranë se kurrë realizimit të objektivit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Në këtë 35-vjetor, Partia Socialiste e Shqipërisë gjendet në një moment historik të drejtimit të vendit. Kemi arritur ta çojmë Shqipërinë shumë pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe besoj se nuk kemi qenë kurrë më afër se sot. Javët, muajt dhe dy vitet në vijim do të jenë shumë vendimtare për ta përmbyllur këtë proces”, deklaroi Balla.

Duke folur për rezultatet zgjedhore të socialistëve, ai nënvizoi se PS ka fituar 15 nga 20 garat elektorale gjatë 35 viteve të ekzistencës së saj, ndërsa nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama ka triumfuar në 9 nga 10 beteja elektorale.

“Kemi fituar 15 nga 20 betejat elektorale në 35 vjet. Me Edi Ramën kemi fituar 9 nga 10 beteja elektorale. Meritën kryesore e kanë anëtarët e thjeshtë të partisë. Mos ta harrojmë asnjëherë: meritën kryesore e ka grushti dhe trëndafili”, u shpreh Balla.

Ai falënderoi strukturat dhe anëtarësinë socialiste për mbështetjen ndër vite, duke vlerësuar rolin e tyre në sukseset politike dhe elektorale të Partisë Socialiste.




Comments are closed.