×
Thursday, June 11, 2026

Bill Gates dëshmon me dyer të mbyllura në Kongres për lidhjet me Jeffrey Epstein

June 10, 2026


Bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, dëshmoi këtë të mërkurë me dyer të mbyllura para Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, në kuadër të hetimit që po shqyrton marrëdhëniet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.

Dëshmia e Gates u regjistrua vetëm në formë të shkruar dhe jo audio apo video, ndërsa pritet të bëhet publike në një fazë të mëvonshme të hetimit.

Gates nuk është akuzuar për asnjë veprim të paligjshëm në lidhje me çështjen Epstein. Megjithatë, ai ka pranuar se ka pasur kontakte profesionale me financierin dhe është takuar disa herë me të gjatë viteve 2011-2014, në kuadër të diskutimeve për krijimin e një fondi investimesh, projekt i cili nuk u realizua kurrë.

Miliarderi amerikan e ka cilësuar vazhdimisht marrëdhënien e tij me Epstein si një “gabim të madh”. Ai ka pranuar gjithashtu se ka pasur marrëdhënie jashtëmartesore me gra që njiheshin nga Epstein, ndërsa zyra e tij ka mohuar kategorikisht pretendimet e ngritura në dosjet e çështjes, duke i cilësuar ato si “plotësisht absurde”.

Para nisjes së dëshmisë, Gates deklaroi se po paraqitej vullnetarisht për të bashkëpunuar me hetimin dhe për të ndihmuar në zbardhjen e fakteve.

“Jam i lumtur që ndodhem këtu vullnetarisht për të dëshmuar dhe për të ndihmuar punën e Komisionit. Shpresoj që dëshmia ime të kontribuojë në përpjekjet për t’u dhënë drejtësi viktimave”, u shpreh ai para gazetarëve.

Sipas raportimit të New York Times, Gates ka angazhuar ish-këshilltarin ligjor të Komisionit të Mbikëqyrjes, Jake Greenberg, për ta përgatitur për dëshminë.

Përfshirja e Greenberg ka tërhequr vëmendje, pasi ai kishte punuar më parë në hetimin parlamentar mbi çështjen Epstein përpara se të largohej nga posti në dhjetor të vitit të kaluar. Megjithatë, sipas raportimeve, ai nuk mori pjesë në seancën e dëshmisë, pasi rregullat etike ndalojnë ish-punonjësit e Kongresit të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me ligjvënësit për një periudhë njëvjeçare pas largimit nga detyra.

Dëshmia e Gates vjen në kuadër të hetimeve të vazhdueshme të Kongresit amerikan mbi rrjetin e kontakteve dhe marrëdhënieve të Jeffrey Epstein, një çështje që vazhdon të tërheqë vëmendje të gjerë publike dhe politike në Shtetet e Bashkuara.




Comments are closed.