Rama: Ende s’ka projekt final, por investimi do të ecë përpara
June 10, 2026
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Associated Press (AP) se qeveria do të vijojë me projektin turistik të lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner, pavarësisht protestave që po zhvillohen kundër tij në Shqipëri.
Rama hodhi poshtë shqetësimet mjedisore të ngritura nga kundërshtarët e projektit, duke i cilësuar ato si rezultat të dezinformimit dhe “gjysmë të vërtetave” që, sipas tij, po deformojnë debatin publik.
Sipas kryeministrit, projekti përfaqëson një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe dëshmon se Shqipëria po tërheq investime të mëdha ndërkombëtare.
“Shqipëria po kthehet në një vend ku kapitali i madh dëshiron të vijë dhe ku investitorët e mëdhenj duan të investojnë”, u shpreh Rama.
Qeveria e konsideron investimin si një projekt transformues për vendin, në një kohë kur Shqipëria synon të zhvillojë turizmin elitar dhe të avancojë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, projekti ka nxitur kundërshtime të forta. Prej ditësh, mijëra qytetarë po protestojnë para Kryeministrisë në Tiranë kundër planit që parashikon ndërtimin e hoteleve, apartamenteve, vilave dhe një marine për jahte në zonën e Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës.
I pyetur nëse mund të tërhiqet nga projekti, Rama u përgjigj shkurt: “Të tërhiqem nga çfarë?”, duke lënë të kuptohet se qeveria nuk ka ndërmend të ndryshojë kurs.
Kryeministri sqaroi se ende nuk ka nisur një vlerësim formal i ndikimit në mjedis, pasi projekti ndodhet në fazën e planifikimit dhe nuk është finalizuar.
“Kur bëhet fjalë për mjedisin, ende nuk ka projekt, ende nuk ka vlerësim të ndikimit në mjedis, sepse ky është ende një proces planifikimi”, tha ai.
Rama tregoi gjithashtu se interesi i Jared Kushner për Shqipërinë lindi pas një vizite private në vend. Sipas tij, disa muaj pas një takimi në jug të Shqipërisë, Kushner i shprehu interesin për investim gjatë një takimi në Davos të Zvicrës.
“Vendi juaj është absolutisht mahnitës dhe ne do të donim të gjenim një mundësi për të investuar”, kujtoi Rama fjalët e Kushner.
Një kompani investimesh e lidhur me Kushner ka marrë statusin e investitorit strategjik në Shqipëri. Projekti parashikon zhvillime turistike në zonën e Lagunës së Nartës dhe një resort në ishullin e Sazanit.
Ndërkohë, SPAK ka nisur verifikime lidhur me projektin, ndërsa debati publik është përqendruar edhe te statusi i pronësisë së tokës dhe ndikimi i mundshëm në mjedis.
Kryeministri theksoi se Shqipëria ka treguar në vite angazhim për mbrojtjen e natyrës, duke përmendur moratoriumin e gjuetisë dhe ndalimin e prerjes së pyjeve si masa që, sipas tij, kanë ndihmuar në rikuperimin e faunës së egër, përfshirë flamingot.
“Kemi dokumentacion fantastik që tregon se si jeta e egër në Shqipëri u rikthye falë moratoriumit 10-vjeçar të gjuetisë”, deklaroi ai.
Rama sugjeroi gjithashtu se një pjesë e reagimeve kundër projektit po amplifikohen nga aktorë të jashtëm, duke përmendur sulmet kibernetike që Shqipëria ka akuzuar Iranin se ka kryer ndër vite.
“Ka shumë manipulim. Ka shumë gjysmë të vërteta që, orë pas ore, shndërrohen në gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha”, tha kryeministri, duke shtuar se nuk po akuzon protestuesit individualë si agjentë të huaj.
Sipas tij, debati duhet të bazohet te faktet dhe te projekti përfundimtar, i cili ende nuk është prezantuar zyrtarisht.