Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar zyrtarisht Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën marrjen e masës më të rëndë disiplinore ndaj deputetit të opozitës, Agron Shehaj.
Sipas kërkesës së depozituar nga mazhoranca, Shehaj ka përdorur gjuhë “fyese, denigruese dhe kërcënuese” gjatë seancës plenare të 11 qershorit, në veçanti gjatë interpelancës me ministrin e Financave, Petrit Malaj, ku po diskutohej mbi të ardhurat nga koncesionet.
Në dokument thuhet se deputeti i opozitës iu drejtua me tone agresive ministrit, deputetëve të shumicës dhe drejtueses së seancës. Sipas PS-së, pavarësisht masave të marra gjatë zhvillimit të seancës, si tërheqja e vëmendjes dhe heqja e së drejtës së fjalës, Shehaj ka vijuar me të njëjtin qëndrim.
Mazhoranca argumenton se sjellja e deputetit bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit dhe Kodin e Sjelljes së Deputetit, duke iu referuar edhe materialeve filmike të seancës si provë mbështetëse.
Kërkesa është firmosur nga disa deputetë socialistë, mes tyre Taulant Balla dhe Antoneta Dhoko, të cilët kërkojnë përjashtimin e Agron Shehajt nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe komisionet parlamentare për një periudhë 30-ditore.
Tashmë pritet që Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën të shqyrtojë kërkesën dhe të marrë një vendim lidhur me masën disiplinore të propozuar.