Gonxhja: Protestat po krijojnë pasiguri te turistët, po ndikojnë në rezervimet e sezonit
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka shprehur shqetësimin për ndikimin që protestat e vazhdueshme në Tiranë mund të kenë mbi sezonin turistik, duke theksuar se situata po krijon pasiguri te turistët e huaj dhe operatorët ndërkombëtarë.
Në një intervistë për emisionin “E-Zone”, Gonxhja deklaroi se Shqipëria kishte hyrë në sezonin veror me pritshmëri shumë pozitive, të mbështetura nga shifrat rekord të muajit maj dhe rritja dyshifrore e vizitorëve të huaj.
“Kemi hyrë në një sezon ku shifrat po na jepnin pritshmëritë se do të jetë një sezon i mbarë dhe shumë i mirë. Shifrat e majit na konfirmuan se ardhjet e të huajve ishin në numër rekord me rritje dyshifrore. Rezervimet janë bërë kohë më parë dhe e gjithë situata ishte në normalitet. Por tashmë po përballemi me protesta që nuk janë në dobi të sektorit”, u shpreh ai.
Sipas ministrit, operatorët turistikë po raportojnë sinjale shqetësuese nga partnerët dhe platformat e rezervimeve, të cilët po kërkojnë informacion shtesë për situatën në Shqipëri.
“Sipas edhe kontakteve me operatorët e fushës, nga platformat e rezervimeve ka telefonata që pyesin se çfarë po ndodh në Shqipëri, sa e sigurt është situata aty, a janë rrugët e lira për qarkullim. Këto pyetje krijojnë pasiguri që ne si vend nuk na vlen, aq më tepër që protesta nuk shoqërohet me një kërkesë konkrete dhe nuk parashikohet se sa do të zgjasë”, tha Gonxhja.
Edhe përfaqësues të sektorit të turizmit kanë kërkuar zgjidhje dhe normalizim të situatës, duke argumentuar se turistët e huaj janë të ndjeshëm ndaj klimës politike dhe perceptimit të sigurisë në vendet që zgjedhin të vizitojnë. Sipas tyre, vazhdimi i protestave mund të ndikojë negativisht në rezervimet dhe në ecurinë e sezonit turistik.







