×
Monday, June 15, 2026

Balla pret raporterin e PPE për Shqipërinë, Kovatchev: Mbështetje e plotë për anëtarësimin e vendit në BE deri në vitin 2027

June 15, 2026


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi sot një takim me Andrey Kovatchev, Zëvendëskryetar i Komitetit për Çështjet e Jashtme dhe Raporter për Shqipërinë në Grupin e Partive Popullore Europiane (PPE).

Gjatë takimit, Kovatchev, i cili shoqërohej nga deputetë të Parlamentit të Bullgarisë, riafirmoi mbështetjen e Bullgarisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për objektivin e përmbylljes së negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027.

Në fjalën e tij Balla ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë dhe të PPE-së për rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke theksuar se vendi ynë ndodhet më pranë se kurrë realizimit të aspiratës për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe anëtarësimi i Bullgarisë në zonën Euro gjatë këtij viti, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi u vlerësuan si vendet më të avancuara të rajonit në procesin e integrimit europian.

Kryetari i Grupit Parlamentar Balla ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e fortë të Parlamentit Europian dhe të PPE-së ndaj Shqipërisë, mbështetje e reflektuar edhe në draft-rezolutën për vendin tonë, e cila pritet të miratohet të mërkurën në Strasburg.




Comments are closed.