Protestuesit janë rikthyer më 6 tetor në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke kërkuar që Kuvendi i Kosovës të votojë edhe në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kërkesa mbetet e njëjtë si një ditë më parë: që projektligji të miratohet përfundimisht dhe të përfshijë ndryshime që prekin funksionimin e Gjykatës Speciale.
Xhavit Jashari, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta, deklaroi se protestuesit kërkojnë që ligji të kalojë brenda ditës edhe në lexim të dytë.
Ndërkohë, organizatori Çlirim Haziri tha se protesta do të vazhdojë deri në miratimin e projektligjit dhe akuzoi qeverinë për përdorim të tepruar të forcës gjatë protestës së një nate më parë.
Policia e Kosovës njoftoi se të paktën 20 zyrtarë policorë, 12 protestues dhe një gazetar morën trajtim mjekësor pas përplasjeve të së hënës. Tre persona u arrestuan, ndërsa policia tha se përdori sprej, gaz lotsjellës dhe top uji pasi disa protestues hodhën mjete piroteknike dhe sende të forta ndaj institucioneve dhe policisë.
Pas ankesave për tejkalim të autorizimeve policore, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur verifikime paraprake mbi mënyrën e ndërhyrjes së forcave të rendit.
Në planin politik, Partia Demokratike e Kosovës, që ka sponsorizuar nismën ligjore, ka kërkuar që projektligji të miratohet plotësisht përpara se të diskutohet zgjedhja e presidentit të ri.
“Ligji duhet të votohet në të dy leximet, të votohet në tërësi”, deklaroi kreu i PDK-së, Bedri Hamza.
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ishte futur në rendin e ditës së seancës së jashtëzakonshme të 5 tetorit, ndërsa PDK kishte kërkuar që ai të votohej në të dyja leximet brenda së njëjtës ditë.
Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti nuk dha të martën një përgjigje të drejtpërdrejtë për rendin e prioriteteve mes votimit të ligjit dhe zgjedhjes së presidentit, duke thënë se çështja do të trajtohet në Kuvend ose në Qeveri.
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim mbi ushtrimin e kompetencave presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore të mandatit të përkohshëm.
Afati politik mbetet i ngushtë, pasi Kuvendi duhet të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues, në të kundërt vendi përballet me mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.


