Protesta në Tiranë prej 94 ditësh pa rezultat politik, organizatorëve u propozohet të nxjerrin kandidat për Bashkinë

02 Sep 2026 09:01
Shpërndaje:

Protesta e zhvilluar prej 94 ditësh në bulevardin e Tiranës vijon pa arritur deri tani një rezultat konkret politik, ndërsa pjesëmarrja gjatë kësaj periudhe ka njohur luhatje dhe organizatorët ende nuk kanë krijuar një strukturë drejtuese të gjithëpranuar publikisht nga protestuesit.

Protesta nisi pas një incidenti në Zvërnec të Vlorës, ku një protestues u sulmua fizikisht nga disa punonjës të sigurisë private. Që prej asaj kohe, tubimet janë zhvendosur në Tiranë dhe janë kthyer në një ritual të përditshëm, por pa u shndërruar deri tani në një lëvizje me objektiva politike të realizuara.

Pavarësisht kësaj, protesta ka arritur të krijojë një prani të konsiderueshme në rrjetet sociale. Zhurma dhe ndërveprimi në platformat online kanë qenë ndër elementët më të dukshëm të saj, por mbetet për t’u parë nëse kjo mbështetje mund të përkthehet edhe në vota.

Reklamë Ola

Në këtë kontekst, gara e ardhshme për Bashkinë e Tiranës shihet si një mundësi për organizatorët e protestës që të testojnë mbështetjen reale elektorale në kryeqytet. Ndërkohë që Partia Socialiste dhe Partia Demokratike pritet të përcaktojnë kandidatët e tyre, të cilët do të marrin mbështetjen përfundimtare përkatësisht të Edi Ramës dhe Sali Berishës, protestuesit mund të provojnë një alternativë të tretë.

Një kandidaturë e dalë nga protesta do të tregonte nëse mbështetja e krijuar gjatë këtyre 94 ditëve mund të shndërrohet nga mobilizim në rrjetet sociale dhe pjesëmarrje në bulevard në një forcë reale elektorale.

Reklamë InterMedika

Të dhënat e zgjedhjeve vendore të vitit 2023 tregojnë se në Tiranë ekziston një pjesë e konsiderueshme e elektoratit që nuk votoi për kandidatët e mbështetur nga Rama dhe Berisha.

Rreth 165 mijë zgjedhës votuan atëherë për kandidatin e mbështetur nga Rama, ndërsa rreth 105 mijë votuan për kandidatin e Berishës. Afërsisht 32 mijë vota shkuan për kandidatët e tjerë, ndërsa rreth 200 mijë zgjedhës nuk morën pjesë fare në votim.

Sipas kësaj përllogaritjeje, nga rreth 500 mijë zgjedhës të Bashkisë Tiranë, vetëm rreth 6 në 11 votuan për dy kandidatët kryesorë në zgjedhjet e kaluara vendore. Pjesa tjetër ose nuk votoi, ose mbështeti kandidatë të tjerë.

Kjo hapësirë elektorale mund të shërbejë si një test për një kandidat të dalë nga protesta, i cili do të konkurronte përballë kandidatëve të dy forcave kryesore politike dhe do të tregonte peshën reale që lëvizja ka krijuar në kryeqytet.

Megjithatë, protesta nuk ka arritur të krijojë të njëjtën prani jashtë Tiranës. Në qytete të tjera të vendit, mobilizimi ka qenë i kufizuar. Në ditët e para u regjistruan disa qindra protestues në Korçë dhe Shkodër, ndërsa në Durrës dhe Fier pjesëmarrja ishte më e vogël.

Në këtë situatë, gara për Bashkinë e Tiranës mund të shërbejë si prova më konkrete për të matur nëse protesta 94-ditore ka krijuar një alternativë politike dhe elektorale, apo ndikimi i saj do të mbetet kryesisht në bulevard dhe në rrjetet sociale.