Projektligji i ri për kujdesin social, më shumë shërbime në familje dhe komunitet dhe krijohet Fondi Social Vendor

28 Aug 2026 15:06
Shpërndaje:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për shërbimet e Kujdesit Social në Republikën e Shqipërisë”, i cili synon krijimin e një kuadri të ri dhe të plotë ligjor për organizimin, financimin, sigurimin dhe ofrimin e shërbimeve të kujdesit social në vend.

Në qendër të reformës vendosen individi, familja dhe komuniteti, ndërsa objektivi është garantimi i aksesit universal dhe të barabartë në shërbimet sociale, mbrojtja e të drejtave të përfituesve dhe rritja e përfshirjes sociale.

Projektligji synon t’u përgjigjet nevojave të reja të sistemit, duke përfshirë planifikimin e shërbimeve mbi bazën e nevojave konkrete, mënyrën e financimit, menaxhimin e rasteve, standardet e cilësisë, profesionalizimin e personelit, digjitalizimin dhe forcimin e mekanizmave të monitorimit.

Reklamë Ola

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me forcimin e shërbimeve të bazuara në familje dhe komunitet. Kuadri i ri synon të mbështesë jetesën e pavarur dhe zhvillimin e kujdesit afatgjatë, duke reduktuar gradualisht varësinë nga modelet rezidenciale të përkujdesjes.

Në këtë mënyrë synohet të mbështetet edhe procesi i deinstitucionalizimit, përmes krijimit të alternativave të kujdesit pranë familjes dhe komunitetit, veçanërisht për fëmijët dhe familjet në nevojë.

Reklamë InterMedika

Projektligji parashikon një rol më të madh edhe për bashkitë dhe njësitë e tjera të vetëqeverisjes vendore, të cilat do të kenë përgjegjësi në planifikimin dhe garantimin e shërbimeve në territorin e tyre. Për mbështetjen dhe zhvillimin e këtyre shërbimeve parashikohet gjithashtu krijimi i Fondit Social Vendor.

Kuadri i ri ligjor synon të zgjerojë gamën e shërbimeve të kujdesit social dhe të krijojë forma më fleksibël mbështetjeje, të përshtatura sipas nevojave të individëve dhe kategorive përfituese.

Vëmendje e veçantë i kushtohet aksesit në shërbimet emergjente. Sipas projektligjit, këto shërbime duhet të jenë të aksesueshme për çdo individ që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht statusit juridik, moshës, gjinisë apo gjendjes socio-ekonomike.

Ndryshime parashikohen edhe për personelin që punon në sistemin e kujdesit social. Projektligji përcakton zhvillimin profesional, certifikimin dhe licencimin sipas natyrës së profesionit, zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe supervizimin e punonjësve, me qëllim rritjen e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.

Një tjetër komponent i reformës është digjitalizimi. Parashikohet zhvillimi i një sistemi të integruar informacioni dhe menaxhimi të të dhënave, ku sistemet elektronike dhe regjistrat përkatës do të përdoren për planifikimin e shërbimeve, menaxhimin e rasteve, monitorimin dhe vlerësimin e politikave sociale.

Në të njëjtën kohë, projektligji parashikon masa për mbrojtjen e të dhënave personale dhe synon rritjen e bashkëpunimit të institucioneve publike me ofruesit jopublikë, shoqërinë civile, organizatat e personave me aftësi të kufizuara, profesionistët dhe vetë grupet e përfituesve.

Kuadri i ri synon gjithashtu të forcojë llogaridhënien ndaj qytetarëve. Për këtë qëllim parashikohen mekanizma për paraqitjen dhe trajtimin e ankesave, matjen e kënaqësisë së përfituesve dhe publikimin e informacionit mbi cilësinë dhe performancën e shërbimeve sociale.

Hartimi i projektligjit lidhet edhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe veçanërisht me angazhimet në kuadër të Kapitullit 19, “Politika Sociale dhe Punësimi”, që përfshin reformat në fushën e mbrojtjes dhe përfshirjes sociale.