Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, ka propozuar që Bashkimi Evropian të shqyrtojë mundësinë e hartimit të një buxheti tre ose katërvjeçar, në vend të planifikimit tradicional për shtatë vite. Sipas tij, zhvillimet e paparashikueshme ndërkombëtare e bëjnë gjithnjë e më të vështirë përcaktimin e prioriteteve financiare afatgjata.
Në një intervistë për POLITICO, gjatë samitit të liderëve të BE-së në Bruksel, Christodoulides vuri në pikëpyetje efektivitetin e planifikimit buxhetor deri në vitin 2034.
“Po diskutojmë buxhetin e vitit 2034, ndërkohë që jemi ende në vitin 2026”, deklaroi ai, duke sugjeruar se një periudhë më e shkurtër financimi mund të ishte më e pranueshme për disa shtete anëtare.
“Pse të mos e hapim këtë diskutim politik?”, shtoi presidenti qipriot.
Sipas tij, pandemia e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë kanë treguar se prioritetet politike dhe ekonomike mund të ndryshojnë rrënjësisht brenda pak vitesh.
“Nuk e dimë si do të jetë situata në vitin 2030 apo 2031. Shikoni çfarë ndodhi me pandeminë dhe luftën në Ukrainë. Nuk është e mundur t’i përcaktosh sot të gjitha prioritetet”, u shpreh Christodoulides.
Propozimi vjen në një moment kur negociatat për buxhetin e ardhshëm të BE-së, me vlerë rreth 2 trilionë euro, po përballen me mosmarrëveshje mes vendeve anëtare.
Nga njëra anë qëndrojnë shtetet që kërkojnë kufizimin e shpenzimeve, përfshirë Gjermaninë, Holandën dhe Suedinë. Nga ana tjetër, një grup prej 17 vendesh kundërshton shkurtimet e mëdha në fondet për bujqësinë dhe zhvillimin rajonal.
Megjithatë, propozimi i presidentit qipriot përballet edhe me pengesa ligjore. Legjislacioni i BE-së parashikon që kuadri financiar shumëvjeçar të mbulojë të paktën pesë vite, ndërsa që prej vitit 1993 buxhetet janë miratuar për periudha shtatëvjeçare.
Ndërkohë, perspektiva e arritjes së një marrëveshjeje deri në fund të vitit po bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Zgjedhjet e nëntorit në Spanjë mund të ndikojnë në ecurinë e negociatave, duke e shtyrë kompromisin mes 27 vendeve anëtare deri në vitin 2027.
Christodoulides pranoi se zhvillimet politike në Spanjë kanë ndryshuar pritshmëritë për përfundimin e negociatave brenda këtij viti.
Presidenti i Qipros parashikoi gjithashtu se buxheti përfundimtar mund të jetë rreth 10–11% më i ulët se propozimi fillestar i Komisionit Evropian.
“Mendoj se mund të përfundojmë me një ulje prej 10 ose 11%. Pra, një shkurtim dyshifror”, deklaroi ai.
Javën e kaluar, qeveria irlandeze propozoi një reduktim prej 8% të buxhetit të paraqitur nga Komisioni Evropian.


