Shqipëria ka marrë miratimin e Bashkimit Europian për të avancuar drejt mbylljes së përkohshme të një tjetër kapitulli të negociatave të anëtarësimit, atë për “Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale”.
Vendimi i hap rrugën Konferencës së dhjetë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila do të zhvillohet më 13 tetor në Luksemburg, ku pritet të zyrtarizohet mbyllja provizore e Kapitullit 20.
Kryeministri Edi Rama e përshëndeti zhvillimin, duke theksuar se miratimi i BE-së forcon perspektivën e vendit për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim.
Kapitulli 20 përfshin politikat që lidhen me zhvillimin e sipërmarrjes, mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, përmirësimin e klimës së investimeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.
Pjesë e tij janë gjithashtu nxitja e inovacionit, digjitalizimi dhe zhvillimi i politikave industriale në përputhje me standardet europiane.
Katër kapituj drejt mbylljes, 29 të tjerë mbeten
Në korrik të këtij viti, Shqipëria mbylli përkohësisht tre kapituj të negociatave: Kapitullin 25, “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26, “Arsimi dhe Kultura”, si dhe Kapitullin 30, “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Me formalizimin e pritshëm të Kapitullit 20, numri i kapitujve të mbyllur provizorisht do të arrijë në katër, nga 33 kapituj negociues.
Shqipërisë do t’i mbeten edhe 29 kapituj për t’u mbyllur, ndërsa qeveria synon përfundimin e negociatave deri në vitin 2027.
Megjithatë, fazat më sfiduese të procesit lidhen me fusha si drejtësia, të drejtat themelore, bujqësia, siguria ushqimore dhe mjedisi, ku kërkohet jo vetëm përafrimi i legjislacionit, por edhe zbatimi i reformave në praktikë.
Veçanërisht i rëndësishëm mbetet grupkapitulli “Themelorët”, i cili përfshin shtetin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve. Ky grupkapitull hapet i pari dhe mbyllet i fundit në procesin e negociatave.
Mbyllja provizore e një kapitulli nuk nënkupton përfundimin e pakthyeshëm të detyrimeve, pasi Bashkimi Europian mund ta rihapë atë nëse standardet e kërkuara nuk përmbushen ose nuk ruhen.
Shqipëria synon të vijojë reformat për të përmbushur kushtet e anëtarësimit dhe për të përfunduar negociatat brenda afatit të vendosur.


