Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Europian, me qëllim përballimin e sfidave të sigurisë, nga lufta në Ukrainë te zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë Forumit Schuman për Sigurinë dhe Mbrojtjen, të organizuar më 18 nëntor në Bruksel, Nufi theksoi se situata aktuale gjeopolitike kërkon partneritete të qëndrueshme dhe veprime konkrete për garantimin e sigurisë ndërkombëtare.
“Në një realitet gjeopolitik gjithnjë e më kompleks dhe të paparashikueshëm, siguria jonë e përbashkët kërkon më shumë se angazhime politike. Ajo kërkon partneritete të besueshme, përgjegjësi të përbashkët dhe veprim konkret”, deklaroi ministri.
Në fjalën e tij gjatë sesionit plenar mbi sigurinë globale dhe partneritetet ndërkombëtare, Nufi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik dhe zhvillimit të kapaciteteve europiane të mbrojtjes në plotësim të rolit të NATO-s.
“Nga agresioni rus kundër Ukrainës te sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, realiteti dëshmon se siguria e vendeve tona është e pandashme”, u shpreh ai.
Ministri konfirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për të vijuar kontributin në strukturat euroatlantike.
“Shqipëria do të vijojë të jetë një aleate e përkushtuar e NATO-s, një mbështetëse e fortë e bashkëpunimit europian dhe një kontribuuese aktive për paqen dhe stabilitetin rajonal e euroatlantik”, theksoi Nufi.
Forumi Schuman, i organizuar nga Shërbimi Europian për Veprimin e Jashtëm, mblodhi në Bruksel përfaqësues nga më shumë se 85 vende partnere, 27 shtetet anëtare të BE-së, organizata ndërkombëtare dhe ekspertë të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes.


