Rama: 200 miliardë lekë investime publike në buxhetin 2027

18 Nov 2026 • 20:15
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Kuvend projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën e re fiskale, duke theksuar se qeveria synon rritjen e investimeve publike, mbështetjen e familjeve dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Gjatë fjalës së tij, Rama bëri të ditur se për vitin e ardhshëm janë planifikuar 200 miliardë lekë investime publike, të cilat do të përqendrohen në infrastrukturë, energji, arsim, shëndetësi, bujqësi dhe hekurudha.

“200 miliardë lekë investime publike të planifikuara nuk janë thjesht konsum i fryteve të rritjes ekonomike, por riinvestim në një ekonomi që do të rritet edhe më shumë”, deklaroi kryeministri.

Reklamë Ola

Rama theksoi se rritja e investimeve dhe mundësitë për shpërndarjen e më shumë fondeve publike janë rezultat i kontributit të qytetarëve dhe bizneseve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Ai mbrojti gjithashtu rëndësinë e investimeve të huaja, duke kundërshtuar qëndrimet që, sipas tij, pengojnë tërheqjen e investitorëve ndërkombëtarë.

Reklamë InterMedika

“Sot të gjitha vendet janë në një konkurrencë gjithmonë e më të egër për të tërhequr sa më shumë investime të huaja”, u shpreh Rama.

Fokus te familjet dhe zonat rurale

Kryeministri nënvizoi nevojën për të orientuar më shumë investime drejt lagjeve periferike dhe zonave rurale, ku, sipas tij, potenciali ekonomik mbetet ende i pashfrytëzuar plotësisht.

Duke shpjeguar objektivat e projektbuxhetit, Rama deklaroi se synimi është ndërthurja e rritjes ekonomike me përmirësimin e kushteve të jetesës dhe lehtësimin e barrës financiare për familjet.

“Kjo është filozofia e këtij buxheti të ri: të rrisim ekonominë për të rritur mirëqenien, të forcojmë financat publike për të lehtësuar barrën e familjeve”, theksoi ai.

Sipas kryeministrit, masat e parashikuara synojnë të mbështesin pensionistët, familjet e reja, profesionistët, studentët nga familjet në vështirësi ekonomike dhe prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Rama përmendi gjithashtu mbështetjen për çiftet e reja që synojnë të sigurojnë banesë, si dhe ndihmën financiare pesëvjeçare për familjet me fëmijë të porsalindur.

Kreu i qeverisë theksoi se projektbuxheti 2027 synon që përfitimet e rritjes ekonomike të reflektohen më drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.