Përplasja midis Gjykatës së BE-së dhe Gjykatës së Lartë Spanjolle, eurodeputeti Junqueras të lirohet nga burgu
Ishte Gjykata e Lartë e Spanjës e cila në tetor të 2019 dënoi mbështetësit kryesorë të lëvizjes për pavarësinë e Katalonjës me dënime nga 9 deri në 13 vjet. Nëntë indipendistët rezultojnë mbështetësit e ish- Presidentit rajonal të Katalonjës Carles Puigdemont, ndaj të cilit rëndon një urdhërarresti europian dhe ndërkombëtar që prej 2017. Mbas tetorit Gjykata e Lartë njoftoi lëshimin e një urdhërarresti të ri ndaj Puigdemont për veprat penale të rebelimit dhe shpërdorim të fondeve publike.
Ndër nëntë personat e dënuar, ish zv President i Katalonjës Oriol Junqueras u dënua me 13 vite burg, dënimi më i lartë i shpallur nga Gjykata e Lartë Spanjolle. Por ky vendim ndaj Oriol Junqueras ngjalli diskutime në BE për shkak se ky i fundit ishte kandidat në listat e të gjelbërve në zgjedhjet europiane të majit të 2018 dhe rezultoi fitues. I menjëhershëm ka qenë reagimi i bashkëpresidentit të grupit të të Gjelbërve në, Ska Keller, i cili në lidhje me vendimin e Gjykatës Spanjolle ndaj Junqueras u shpreh se ishte një vendim politik dhe aspak proporcional.
Në vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, e publikuar dy ditë më parë theksohet se “Një person i zgjedhur në Parlamentin Europian fiton statusin e anëtarit të tij në kohën e publikimit zyrtar të rezultateve dhe gëzon, nga ky moment, imunitetin që i bashkangjitet këtij statusi”. Kjo çështje, e cila mbërriti për interpretim deri në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, u ineskua nga vetë Junqueras i cili në momentin që u zgjodh deputet i Parlamentit Europian, në pritje të vendimit të Gjykatës Spanjolle, kërkoi të lirohej nga burgu për të marrë pjesë në sesionin hapës të Parlamentit Europian. Kërkesë e cila u refuzua nga Gjykata e Lartë Spanjolle dhe në tetor vendosi për ta dënuar me 13 vjet heqje lirie dhe detyrimisht edhe ndalimin për të mbajtur çfarëdo pozicioni publik.
Pavarësisht këtij fakti, dy ditë më parë Gykata Europiane u shpreh qartë në interpretimin e saj duke theksuar se imuniteti që gëzojnë anëtarët e zgjedhur të Parlamentit Europian përfshin dhe udhëtimin në vendin ku mbahet sesioni i parë i tij, gjë që vuri në dyshim vendimin e Gjykatës së Lartë Spanjolle.
Nuk dihet se kush do të jetë pasoja juridike e një vendimi të tillë, nëse Oriol Junqueras duhet të lirohet nga burgu për shkak të imunitetit që gëzon nga fakti i zgjedhjes së tij si anëtar i Parlamentit Europian. Sipas gazetës më të madhe spanjolle ‘El Pais’, vendimi i fundit i Gjykatës së BE-së mund të favorizojë ‘të arratisurit’ nga vendi, Carles Puigdemont dhe Toni Comin, të cilët gjithashtu janë zgjedhur anëtarë të Parlamentit Europian pavarësisht se nga 2017 janë larguar nga Spanja.
Menjëherë mbas vendimit, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli i ka kërkuar Spanjës të konformohet me vendimin e Gjykatës së Drejtësisë për rastin e Junqueras dhe u shpreh se i ‘ka kërkuar shërbimeve të Parlamentit Europian të zbatojnë efektet e vendimit të Gjykatës së BE-së’ edhe për Puigdemont dhe Comin. Ka qenë ky vendim i cili ka mundësuar që ditën e djeshme liderat e Katalonjës, Carles Puigdemont dhe Toni Comin, të futën në godinën e Parlamentit Europian në cilësinë e deputetit.
Eunews.al