Komisioni Evropian ka prezantuar një sistem të ri vlerësimi mjedisor për qendrat e të dhënave që mbështesin zhvillimin dhe funksionimin e inteligjencës artificiale, në përpjekje për të frenuar konsumin e tyre në rritje të energjisë dhe ujit.
Rregullat e reja do të zbatohen duke nisur nga gushti i vitit 2027 dhe do t’i detyrojnë qendrat e mëdha të të dhënave të publikojnë një etiketë që i klasifikon ato nga kategoria A deri në G, sipas qëndrueshmërisë së tyre mjedisore.
Skema është e ngjashme me etiketat e përdorura nga Bashkimi Evropian për pajisjet elektroshtëpiake. Vlerësimi do të bazohet te efikasiteti energjetik, konsumi i ujit dhe përdorimi i energjisë së pastër.
Etiketa do të përmbajë gjithashtu të dhëna për ndikimin lokal dhe global të qendrave, përfshirë sasinë e ujit që konsumojnë, burimin e energjisë elektrike dhe ripërdorimin e nxehtësisë që prodhojnë serverët.
Komisioneri Evropian për Energjinë, Dan Jørgensen, tha se sistemi do të rrisë transparencën dhe do t’i nxisë operatorët që t’i bëjnë qendrat e të dhënave sa më të qëndrueshme.
“Ky sistem do të sjellë shumë transparencë dhe shpresojmë se do të krijojë stimuj që qendrat e të dhënave të jenë sa më të qëndrueshme”, deklaroi Jørgensen.
Për qendrat më të vogla etiketa do të jetë fillimisht vullnetare. Megjithatë, Komisioni synon të propozojë në pranverën e vitit 2027 standarde minimale të detyrueshme për qendrat e reja ose ato që do t’i nënshtrohen rikonstruksionit.
Sipas Jørgensen, këto masa synojnë t’i mundësojnë Bashkimit Evropian të konkurrojë në garën globale të inteligjencës artificiale, pa cenuar objektivin për neutralitet klimatik deri në vitin 2050.
Qendrat e të dhënave konsumojnë aktualisht rreth 2.5% të energjisë elektrike të BE-së, ndërsa kjo përqindje pritet të dyfishohet gjatë viteve të ardhshme. Komisioneri paralajmëroi se konsumatorë kaq të mëdhenj mund të dëmtojnë sistemet energjetike, konkurrueshmërinë dhe sigurinë e furnizimit, nëse nuk përshtaten me objektivat klimatike.
Etiketa do të krijohet automatikisht çdo vit, duke u bazuar te të dhënat që kompanitë duhet të raportojnë sipas rregullave evropiane për efikasitetin energjetik. Megjithatë, vetëm 36% e qendrave në BE i deklarojnë aktualisht të dhënat e kërkuara.
Shoqata Evropiane e Qendrave të të Dhënave ka kundërshtuar planet e Komisionit, duke paralajmëruar se kërkesat e reja mund të pengojnë investimet. Përfaqësuesit e industrisë kanë kërkuar që BE-ja t’u japë përparësi ambicieve në inteligjencën artificiale përpara objektivave klimatike.
Sipas një dokumenti të Komisionit, rreth 20% e qendrave evropiane të të dhënave mund të përfundojnë në kategoritë më të ulëta të skemës së re.
Jørgensen u kërkoi kompanive teknologjike që rregullat t’i shohin si një mundësi për të fituar besimin e publikut. Në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende evropiane po rritet kundërshtimi ndaj qendrave të të dhënave për shkak të konsumit të lartë të energjisë dhe ujit.
Komisioneri sqaroi se BE-ja nuk do të vendosë një detyrim të përbashkët që qendrat e të dhënave të prodhojnë vetë energjinë e pastër që konsumojnë, pasi një vendim i tillë do t’u lihet qeverive kombëtare.
Disa vende, përfshirë Spanjën, po shqyrtojnë masa që do t’i detyronin operatorët të siguronin një pjesë të energjisë nga burime të rinovueshme. Jørgensen tha se nisma të tilla mund të jenë pjesë e zgjidhjes, duke pasur parasysh konsumin e lartë të këtyre strukturave.
“Ne e duam inteligjencën artificiale dhe qendrat e të dhënave. Duam që Evropa të jetë një vend për investime, por është në interesin e kompanive dhe të Bashkimit Evropian që kjo të bëhet në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë arsye do të vendosim kërkesa”, përfundoi Jørgensen.


