×
Sunday, May 31, 2026

Gonxhja: FIP Platinum Albania e vendosi Shqipërinë në hartën botërore të padelit

May 31, 2026


Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi FIP Platinum Albania një sukses të madh sportiv dhe organizativ, duke theksuar se eventi e pozicionoi Shqipërinë mes vendeve që organizojnë turne të rëndësishëm ndërkombëtarë të padelit.

Pas përfundimit të garës, Gonxhja vlerësoi nivelin e lartë të konkurrimit dhe interesin e publikut, ndërsa finalet u zhvilluan në sheshin “Skënderbej”.

“Një maratonë ndeshjesh që nisi më 26 maj, kulmoi mbrëmë në sheshin ‘Skënderbej’ me finalet e mëdha të FIP Platinum Albania, duke mbyllur një javë të paharrueshme jo vetëm për padelin, por për të gjithë sportin në tërësi”, deklaroi ministri.

Sipas tij, rreth 20 mijë spektatorë ndoqën nga afër ndeshjet gjatë pesë ditëve të aktivitetit, ku morën pjesë 150 sportistë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë emra të njohur të renditjes ndërkombëtare.

Në kategorinë e meshkujve triumfuan Franco Stupaczuk dhe Mike Yanguas, ndërsa në kategorinë e femrave fituese u shpallën Marina Guinart dhe Veronica Virseda.

Gonxhja theksoi se organizimi i turneut dëshmoi kapacitetet e Shqipërisë për të pritur aktivitete sportive të nivelit të lartë ndërkombëtar.

“Tirana u shndërrua në një skenë të denjë për sportin elitar, duke dëshmuar se Shqipëria ka kapacitetet, energjinë dhe vizionin për të organizuar me sukses ngjarje sportive të nivelit më të lartë ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Ministri vlerësoi gjithashtu ndikimin e aktivitetit në promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe sportiv, duke theksuar se eventi ndihmoi në forcimin e imazhit të vendit dhe në afrimin e të rinjve me sportin.

Në përfundim, Gonxhja falënderoi Federatën Ndërkombëtare të Padelit, Federatën Shqiptare të Padelit dhe të gjithë partnerët që kontribuuan në realizimin e turneut.




Comments are closed.