Nufi kërkon ekipe reagimi të NATO-s ndaj kërcënimeve hibride

05 Nov 2026 • 13:24
Shpërndaje:

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, kërkoi që vendet e NATO-s të bashkërendojnë më mirë reagimin ndaj kërcënimeve hibride, dezinformimit dhe fushatave keqdashëse në hapësirën digjitale. Në një intervistë për POLITICO Europe, ai propozoi që Aleanca të vërë në dispozicion të vendeve anëtare ekspertizë të specializuar dhe ekipe reagimi.

Sipas Nufit, këto fushata synojnë të cenojnë besimin e qytetarëve tek institucionet, të nxisin përçarje dhe të dobësojnë aftësinë e shoqërive demokratike për t’u përballur me krizat. Ai theksoi se NATO-ja duhet të marrë një rol më aktiv, me mekanizma që u mundësojnë aleatëve të reagojnë së bashku.

Ministria e Mbrojtjes tha se për Shqipërinë, siguria përfshin mbrojtjen e territorit, të institucioneve, të qytetarëve dhe të hapësirës së informacionit.

Reklamë Ola

“Përballë sfidave të reja, vendi ynë mbetet i angazhuar për një Aleancë më të fortë, më të përgatitur dhe më të bashkuar, ku siguria e çdo vendi është pjesë e sigurisë së përbashkët”, theksoi ministria.