Negociatat për Ukrainën, SHBA kërkon përfshirjen e Evropës në tryezë

10 Nov 2026 • 12:05
Shpërndaje:

Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion ndaj Rusisë për të pranuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve evropianë në raundet e ardhshme të negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Sipas POLITICO, që citon zyrtarë amerikanë në kushte anonimiteti, Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i presidentit Donald Trump, së bashku me të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff, do ta ngrenë këtë kërkesë gjatë bisedimeve mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës në Abu Dhabi.

Negociatat e së martës shënojnë takimin e parë trepalësh që prej muajit shkurt, ndërsa administrata amerikane synon të përshpejtojë procesin diplomatik.

Reklamë Ola

“Ne kemi nevojë për Evropën në tryezë. Propozimi ynë është që evropianët të përfshihen në diskutime pas këtij takimi trepalësh”, deklaroi një zyrtar amerikan.

Sipas burimeve, Uashingtoni synon që ky të jetë raundi i fundit i negociatave pa pjesëmarrjen e plotë të Evropës.

Reklamë InterMedika

Përçarje mes vendeve evropiane për përfaqësimin në negociata

Përfshirja e Evropës në procesin e paqes ka shkaktuar debate mes qeverive evropiane, të cilat ende nuk kanë arritur një qëndrim të përbashkët se kush duhet t’i përfaqësojë në tryezën e negociatave.

Çështja pritet të diskutohet gjatë një samiti informal të udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Dublin, këtë javë.

Zyrtarët amerikanë kanë mirëpritur kontaktet e drejtpërdrejta të udhëheqësve të Finlandës dhe Norvegjisë me presidentin rus Vladimir Putin, më 27 tetor, duke kërkuar intensifikimin e dialogut mes Evropës dhe Moskës.

Sipas tyre, komunikimi i drejtpërdrejtë do t’u mundësonte vendeve evropiane të dëgjonin qëndrimet e Rusisë dhe të përcillnin mesazhet e tyre pa ndërmjetës.

Në Abu Dhabi do të jenë të pranishëm këshilltarë të sigurisë nga Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, si dhe përfaqësues të Italisë, NATO-s, Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian.

Megjithatë, për shkak të kundërshtimit të Moskës, ata nuk pritet të marrin pjesë në diskutimet kryesore trepalëshe, por do të zhvillojnë konsultime me përfaqësuesit amerikanë.

Garancitë e sigurisë dhe territoret e pushtuara, në fokus të bisedimeve

Sipas zyrtarëve amerikanë, dita e parë e negociatave do të përqendrohet te garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe mundësia e riorganizimit të arkitekturës së sigurisë në Evropë.

Ditën e dytë pritet të diskutohen çështjet territoriale, përfshirë të ardhmen e zonave ukrainase të pushtuara nga Rusia dhe përcaktimin e kufijve.

Qeveritë evropiane kanë shprehur shqetësimin se administrata Trump mund të pranojë disa prej kërkesave të Moskës për kufizimin e ndikimit të NATO-s në rajon.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë theksuar se NATO do të mbetet në qendër të mbrojtjes kolektive evropiane, edhe nëse marrëdhëniet e sigurisë mes Evropës dhe Rusisë do të rishikohen.

Sipas tyre, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka qenë i përfshirë në diskutimet me administratën amerikane për garancitë e ardhshme të sigurisë.

SHBA: Ka fleksibilitet për çështjet territoriale

Zyrtarët amerikanë pretendojnë se Rusia dhe Ukraina kanë treguar njëfarë fleksibiliteti në diskutimet private lidhur me territoret e pushtuara, megjithëse nuk janë bërë publike hollësi mbi propozimet konkrete.

Ata theksuan se qëllimi i bisedimeve të kësaj jave nuk është domosdoshmërisht arritja e një armëpushimi përfundimtar, por ruajtja e ritmit të negociatave.

Sipas qëndrimit amerikan, dy çështjet kryesore, statusi i territoreve ukrainase dhe garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën dhe Evropën, duhet të trajtohen paralelisht dhe të marrin një zgjidhje të përbashkët.

Përfshirja e drejtpërdrejtë e Evropës mbetet një nga çështjet më të rëndësishme të procesit diplomatik, pasi çdo marrëveshje e mundshme mund të ndikojë jo vetëm në të ardhmen e Ukrainës, por edhe në sigurinë e gjithë kontinentit.