Përfaqësuesit evropianë, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë rënë dakord të shqyrtojnë marrëveshjet dhe mekanizmat ekzistues të sigurisë në Evropë, me synimin për të ulur rrezikun e përplasjeve të ardhshme mes Rusisë dhe vendeve anëtare të NATO-s.
Marrëveshja për nisjen e këtij diskutimi u arrit gjatë ditës së parë të negociatave të paqes në Abu Dhabi, ku delegacionet amerikane, ukrainase dhe evropiane zhvilluan konsultime përpara bisedimeve trepalëshe me Rusinë.
Sipas dy deklaratave pothuajse identike, të publikuara nga i dërguari amerikan Steve Witkoff dhe Këshilli Evropian, palët e konsiderojnë thelbësore adresimin e shqetësimeve të sigurisë pas përfundimit të luftës në Ukrainë.
“Objektivi i përbashkët është zhvillimi i një kuadri praktik sigurie, që forcon sigurinë afatgjatë të Ukrainës dhe krijon besimin e nevojshëm për arritjen e një zgjidhjeje të negociuar”, thuhet në deklarata.
NATO mbetet në qendër të mbrojtjes evropiane
Diskutimet u përqendruan te mënyrat për të forcuar mekanizmat ekzistues të sigurisë dhe për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve në kontinent pas përfundimit të konfliktit.
Palët riafirmuan angazhimin për një arkitekturë të qëndrueshme të sigurisë evropiane, duke theksuar se NATO do të vazhdojë të ketë rolin qendror në mbrojtjen kolektive euroatlantike.
Megjithatë, çështja mbetet e ndjeshme për qeveritë evropiane, të cilat shqetësohen për mundësinë e reduktimit të angazhimit ushtarak amerikan në kontinent.
Administrata e presidentit Donald Trump u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre, ndërsa vendet e NATO-s kanë rënë dakord për objektiva të reja të shpenzimeve të sigurisë dhe mbrojtjes, deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2035.
Nga ana tjetër, Rusia ka kërkuar kufizimin e ndikimit të NATO-s në Evropë dhe ka kundërshtuar vazhdimisht mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në Aleancë.
Evropa kërkon rol në marrëveshjen e paqes
Negociatat në Abu Dhabi shënojnë takimin e parë trepalësh mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së pas nëntë muajsh.
Delegacioni amerikan drejtohet nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Trump, të cilët po kërkojnë zgjerimin e diskutimeve për të përfshirë edhe të ardhmen e sigurisë evropiane.
Përpara takimit me delegacionin rus, përfaqësuesit amerikanë dhe ukrainas zhvilluan konsultime me zyrtarë nga Komisioni Evropian, Këshilli Evropian, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe NATO.
Dy zyrtarë të njohur me bisedimet i përshkruan diskutimet paraprake si thelbësore dhe me atmosferë pozitive, sipas POLITICO.
Një nga çështjet kryesore që mbetet për t’u përcaktuar është nëse marrëveshjet për sigurinë e përgjithshme evropiane do të jenë pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje për Ukrainën apo do të negociohen në një fazë të mëvonshme.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe disa prej aleatëve të tij kanë kundërshtuar më parë idenë që Rusia të vendosë kushte për marrëdhëniet mes Evropës dhe NATO-s si pjesë e procesit për përfundimin e luftës.
Pavarësisht dakordësisë për të shqyrtuar mekanizmat e sigurisë, nuk është njoftuar ende ndonjë marrëveshje konkrete për ndryshimin e tyre.
Bisedimet pritet të vijojnë me fokus te garancitë afatgjata për Ukrainën, parandalimi i konflikteve të reja dhe përcaktimi i rolit të Evropës në një marrëveshje të mundshme paqeje.


