Bashkimi Evropian po përgatit mekanizma të rinj kontrolli për vendet që do t’i bashkohen unionit, duke parashikuar një periudhë mbikëqyrjeje prej 15 vitesh dhe mundësinë e pezullimit të së drejtës së votës në rast të shkeljeve të rënda të vlerave evropiane.
Mali i Zi, vendi më i avancuar në procesin e negociatave të anëtarësimit, pritet të jetë i pari që do të përballet me këto kushte, ndërsa shtetet anëtare synojnë të arrijnë një qëndrim të përbashkët gjatë javës së ardhshme.
Sipas Euronews, mekanizmi i propozuar nga Komisioni Evropian synon të parandalojë situatat kur një vend, pasi anëtarësohet në BE, shkel parimet e përbashkëta ose përdor të drejtën e vetos për të bllokuar vendimmarrjen.
Brukseli propozon mbikëqyrje për 15 vite
Propozimi i Komisionit Evropian parashikon që vendet e reja anëtare t’i nënshtrohen një periudhe 15-vjeçare mbikëqyrjeje, gjatë së cilës BE-ja do të ketë mundësi të ndërhyjë në rast të shkeljeve të rënda.
Nisma vjen pas kërkesave të disa vendeve themeluese të unionit për të nxjerrë mësime nga përvoja me Hungarinë, ku qeveria e Viktor Orbanit ka përdorur të drejtën e vetos për të bllokuar vendime të rëndësishme evropiane.
“Kur e përmenda për herë të parë këtë çështje, thashë se nuk duam më kuaj Troje në Bashkimin Evropian. Sot mund të them se nuk duam më Viktor Orbanë të tjerë”, deklaroi komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë prezantimit të masës.
Ndryshe nga mekanizmat e mëparshëm të përfshirë në traktatet e anëtarësimit të Kroacisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, propozimi i ri shkon përtej kontrollit të zbatimit të rregullave ekonomike dhe të drejtësisë.
Ai parashikon masa më të forta institucionale, përfshirë mundësinë e pezullimit të së drejtës së votës së një shteti anëtar.
Mali i Zi me hapësirë të kufizuar për negociata
Për Podgoricën, mekanizmi i ri përbën një sfidë, pasi vendi ka investuar më shumë se një dekadë në përmbushjen e kushteve të anëtarësimit.
Sipas raportimit, zyrtarët malazezë kanë shprehur pakënaqësi për ndryshimin e kushteve në fazën përfundimtare të negociatave, por kanë shmangur kritikat publike për të mos rrezikuar procesin.
Komisioni Evropian po përgatit qëndrimet e përbashkëta të BE-së për kapitujt 34 dhe 35, ku do të përfshihen dispozitat për garancitë institucionale në traktatin e ardhshëm të anëtarësimit të Malit të Zi.
Ndryshe nga kapitujt e tjerë, Podgorica nuk do të ketë mundësi të negociojë drejtpërdrejt përmbajtjen e këtyre mekanizmave. Hapësira kryesore për të ndikuar në vendimmarrje mbetet komunikimi me qeveritë e vendeve anëtare.
Italia kërkon masa proporcionale, Holanda qëndrim të njëjtë për të gjithë
Mes vendeve të BE-së ka ende dallime lidhur me mënyrën e zbatimit të mekanizmit të ri.
Italia ka kërkuar respektimin e parimit të barazisë mes shteteve anëtare dhe vendosjen e masave proporcionale, të përshtatura me rrethanat e secilit vend kandidat.
Holanda, nga ana tjetër, mbështet zbatimin e të njëjtave kushte për të gjitha vendet që synojnë anëtarësimin.
Debati përqendrohet në kohëzgjatjen e mbikëqyrjes, masat që mund të aktivizohen në rast shkeljesh dhe kompetencat që do t’i jepen Komisionit Evropian në këtë proces.
Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së po mbledh qëndrimet e shteteve anëtare, me synimin për të paraqitur një pozicion të konsoliduar në nivel ambasadorësh gjatë javës së ardhshme.
Nëse arrihet dakordësia, dispozitat e reja pritet të përfshihen në traktatin e ardhshëm të anëtarësimit të Malit të Zi.
Mekanizmi mund të shërbejë gjithashtu si model për anëtarësimet e ardhshme, duke ndikuar edhe te vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Megjithatë, përmbajtja përfundimtare e masave dhe mënyra e zbatimit të tyre mbeten ende objekt diskutimi mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.


