Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se Bashkimi Evropian do të jetë i pranishëm në bisedimet për paqen në Ukrainë, që pritet të zhvillohen këtë javë në Abu Dhabi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Von der Leyen bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë së cilës diskutuan përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës.
“Diskutuam për përpjekjet aktuale për paqe dhe për bisedimet e kësaj jave në Abu Dhabi, ku BE-ja do të jetë e pranishme së bashku me partnerët tanë”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian.
Von der Leyen njoftoi gjithashtu se do të nisë një vizitë në rajonin e Detit të Zi, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi agjendën.
Deklarata vjen në prag të negociatave të planifikuara mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Pjesëmarrja e BE-së në diskutime vjen në një kohë kur vendet evropiane kërkojnë të përfshihen në vendimet që lidhen me përfundimin e luftës dhe sigurinë afatgjatë të kontinentit.
Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura hollësi mbi formatin dhe nivelin e përfaqësimit të Bashkimit Evropian në bisedimet e Abu Dhabit.


