Negociatat me BE/ Greqia kundër ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut
Greqia nuk e mbështet ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, përsa u përket negociatave për anëtarësimin në BE. Edhe pse ky propozim, i cili erdhi fillimisht nga komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, po diskutohet nga vendet anëtare, Athina zyrtare duket se është kundër ndarjes së rrugës së integrimit europian të Shkupit dhe Tiranës.
Në një përgjigje për gazetën “Si”, Ambasada Greke në Tiranë thotë se vendi fqinj mbështet hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përpara korrikut dhe se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë në krye të agjendës së BE-së.
“Ne kemi nevojë të mbajmë vrullin. Për këtë qëllim, Greqia mbështet plotësisht përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që të adresojë shqetësimet e ngritura nga Bullgaria. Prandaj, dhe për të shmangur dërgimin e mesazheve të gabuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor,
Greqia mbështet plotësisht hapjen e negociatave të pranimit si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedonia e Veriut duke mbajtur Konferencat e para Ndërqeveritare, në të njëjtën kohë, sa më shpejt të jetë e mundur, gjatë Presidencës Portugeze”, thotë ambasada për gazetën “Si”.
Ideja e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut vjen ndërkohë që Bashkimi Europian pritet të marrë një vendim për mbajtjen ose jo të konferencës së parë ndërqeveritare në qershor, një muaj përpara se Portugalia të dorëzojë presidencën e BE-së.
Megjithatë, qeveria teknike në Bullgari nuk ka dhënë sinjale se do ta heqë veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, duke bërë që Varhelyi të ngrinte mundësinë që Komisioni të vazhdonte përpara vetëm me Shqipërinë. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh historike si dhe për gjuhën maqedonase, për të cilën Sofja pretendon se ka origjinë bullgare.
Pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës, e cila çoi në ndryshimin e emrit të vendit fqinj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka paralajmëruar së fundmi se vendi i tij nuk do heqë dorë nga identiteti kombëtar në emër të integrimit europian.
Deklaratat e prera si nga Sofja dhe Shkupi sinjalizojnë se arritja e një marrëveshje për heqjen e vetos ndaj integrimit do të jetë e vështirë të arrihet, duke bërë kështu rrjedhimisht të pamundur mbajtjen e konferencës së parë edhe me Shqipërinë. Në këto kushte, sipas raporteve nga qarqet diplomatike në Bruksel, ndarja e Tiranës dhe Shkupit është rikthyer sërish në tryezë.
I shqetësuar nga kjo mundësi, kryeministri maqedonas Zoran Zaev, ka realizuar dy vizita zytare, në Bruksel dhe Athinë, ku ka kërkuar që Maqedonia e Veriut të mos mbesë prapa në rrugën e integrimit.
Eunews.al