Qeveria franceze njoftoi të martën një paketë shtesë prej 450 milionë eurosh për të zgjatur deri në fund të vitit masat mbështetëse për karburantet, në përpjekje për të ndihmuar familjet, punonjësit dhe bizneset e goditura nga rritja e çmimeve të energjisë si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Ne i dëgjojmë shqetësimet e francezëve, të cilat ndonjëherë shndërrohen në zemërim. Këto shqetësime dhe ky zemërim janë të sinqerta dhe ne duhet t’u përgjigjemi”, deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Financave, Roland Lescure.
Masat parashikojnë vazhdimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë për sektorët më të ekspozuar ndaj kostove të larta të karburantit. Fermerët kanë përfituar një ndihmë prej 15 centësh për litër për naftën bujqësore, ndërsa për ndërmarrjet e ndërtimit mbështetja arrin në 20 centë për litër.
Qeveria do të rrisë gjithashtu mbështetjen për personat me të ardhura të ulëta që janë të detyruar të përdorin automjetin për punë. Në këtë kategori përfshihen edhe profesionistë që kryejnë vizita në terren, si infermierët dhe punonjësit e kujdesit në shtëpi.
Sipas ministrit të Buxhetit, David Amiel, kostoja totale e subvencioneve të karburanteve për Francën pritet të arrijë në rreth 1.4 miliardë euro gjatë këtij viti.
Parisi ka zgjedhur që prej muajit mars të përdorë ndihma të targetuara në vend të uljeve të përgjithshme të taksave mbi karburantet. Lescure bëri të qartë se kjo strategji nuk do të ndryshojë, ndërsa financat publike franceze vazhdojnë të jenë nën presion.
Rritja e çmimeve lidhet me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe problemet në tregjet e energjisë. Qeveria franceze ka deklaruar se, pavarësisht tensioneve aktuale, vendi nuk përballet për momentin me një problem të përgjithshëm të furnizimit me karburant.
Presidenti Emmanuel Macron ka intensifikuar ndërkohë përpjekjet diplomatike për çështjen e energjisë. Ai i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, lehtësimin e përkohshëm të disa rregullave evropiane për karburantet dhe shtyrjen e disa kërkesave që lidhen me emetimet e metanit, me synimin për të zbutur presionin mbi tregun energjetik.


