×
Sunday, January 18, 2026

Ndërmjetësuesit e SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit takohen për të avancuar marrëveshjen e Gazës

June 5, 2024


Zyrtarët nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari do të takohen në Doha për të avancuar përpjekjet për të arritur një armëpushim dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve midis Izraelit dhe lëvizjes islamike palestineze Hamas.

“Drejtori i CIA-s, William Burns dhe koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Brett McGurk, udhëtuan sërish në rajon për të nxitur arritjen e marrëveshjes”, thanë mediat.

“Ata do të zhvillojnë bisedime në Katar dhe Egjipt dhe ndoshta do të vizitojnë edhe Izraelin”, sipas “Times of Israel”.

“Shefi i shërbimit inteligjent egjiptian, Abbas Kamel, u nis sot në Doha për bisedime me Burns dhe kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman”, thanë burimet në aeroportin e Kajros.

Bisedimet vijnë pasi përpjekjet kanë marrë një vrull të ri, pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden njoftoi javën e kaluar planin për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

Të martën, Katari tha se as qeveria izraelite dhe as Hamasi nuk kishin bërë ende një deklaratë të qartë mbi propozimin e Biden.

Katari, SHBA-ja dhe Egjipti kanë ndërmjetësuar mes Izraelit dhe Hamasit prej disa muajsh për të arritur një armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve të mbajtura nga grupi militant.

Lufta u shkaktua nga masakra e paprecedentë e kryer nga militantët e Hamasit dhe organizatave të tjera ekstremiste palestineze në Izrael pranë kufirit me Rripin e Gazës, më 7 tetor.

Militantët vranë më shumë se 1200 njerëz dhe rrëmbyen më shumë se 250 pengje në Rripin e Gazës.

Izraeli u përgjigj me sulme masive ajrore dhe një ofensivë tokësore.

Sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi, 36 550 njerëz janë vrarë deri më tani dhe 82 959 të tjerë janë plagosur.




Comments are closed.