NATO nis stërvitjet në Lituani, mbi 6 mijë trupa ushtarake pjesëmarrëse

08 Nov 2026 • 11:48
Shpërndaje:

Më shumë se 6 mijë trupa të NATO-s pritet të marrin pjesë në dy stërvitje ushtarake të udhëhequra nga Gjermania në Lituani, të cilat zhvillohen nga 6 nëntori deri më 3 dhjetor.

Sipas njoftimit të Forcave të Armatosura të Lituanisë, stërvitjet e koduara “Freedom Shield 26-II” dhe “Grand Eagle 26” synojnë forcimin e gatishmërisë luftarake dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes forcave aleate.

Në këto operacione do të angazhohen njësi të rëndësishme të ushtrisë gjermane, përfshirë Brigadën e 45-të të Blinduar “Lietuva” dhe Brigadën e 37-të të Këmbësorisë së Mekanizuar “Freistaat Sachsen”, të cilat janë pjesë e Divizionit të 10-të të Blinduar të Gjermanisë.

Reklamë Ola

Pjesëmarrëse do të jenë gjithashtu forcat e Brigadës Shumëkombëshe Luftarake të NATO-s në Lituani, me trupa nga Gjermania, Holanda, Norvegjia, Republika Çeke, Kroacia, Belgjika dhe Luksemburgu, së bashku me personelin ushtarak lituanez.

Stërvitje për forcimin e gatishmërisë dhe koordinimit ushtarak

Reklamë InterMedika

Aktivitetet do të zhvillohen kryesisht në poligonet ushtarake Rudninkai dhe Gjeneral Silvestras Žukauskas.

Sipas autoriteteve ushtarake lituaneze, objektivat kryesore përfshijnë përmirësimin e planifikimit operacional, forcimin e strukturave të komandimit dhe rritjen e aftësisë së njësive ushtarake për të vepruar në mënyrë të koordinuar.

Stërvitjet do të shoqërohen edhe me lëvizje të personelit dhe pajisjeve ushtarake në pjesë të ndryshme të territorit të Lituanisë.

Angazhimi i mbi 6 mijë trupave në këto dy stërvitje përbën një aktivitet të rëndësishëm të bashkëpunimit ushtarak mes Gjermanisë, Lituanisë dhe vendeve të tjera aleate të NATO-s, në kuadër të përgatitjes dhe forcimit të kapaciteteve të përbashkëta mbrojtëse.