Ministrat e Jashtëm të BE-së: Shqetësuese situata në kufirin greko-turk



Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në takimin e sotëm në Zagreb bënë një deklaratë të përbashkët ku shprehën shqetësim të madh për shkak të gjendjes në kufirin greko-turk si dhe në Idlib të Sirisë.
“Përpos njohjes të rritjes së barrës së migracionit dhe rrezikut me të cilën ballafaqohet Turqia në territorin e saj dhe përpjekjeve të mëdha që ka bërë për të strehuar 3.7 milionë emigrantë dhe refugjatë, BE përsërit shqetësimin serioz në kufirin greko-turk. Kjo situatë në kufijtë e jashtëm të BE-së është e papranueshme. BE dhe vendet e saj anëtare mbeten të vendosura që të mbrojnë në mënyrë efektive kufijtë e jashtëm të BE-së. Kalimet ilegale nuk do të tolerohen. Lidhur me këtë, BE dhe vendet e saj anëtare do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe evropiane”, theksuan ministrat e Jashtëm të BE-së në deklaratën e përbashkët.
Ata po ashtu ritheksuan solidaritetin e plotë me Greqinë, e cila po përballet me një situatë që nuk mbahet mend dhe me Bullgarinë, Qipron Jugore dhe vendet e tjera anëtare, të cilat mund të goditen në mënyrë të ngjajshme. Këshilli përshëndeti ndihmën praktike të njoftuar nga Komisioni Evropian më 4 mars 2020 dhe në kuadër të saj do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor.
Një nga temat e Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së ishte edhe situata gjithnjë e më e rënduar në Idlib të Sirisë.
“Në Idlib, ofensiva e fundit dhe e vazhdueshme nga regjimi sirian dhe përkrahësit e tij, përfshirë Rusinë, ka krijuar vuajtje të papara njerëzore dhe ka shkaktuar krizën më të madhe humanitare që nga fillimi i konfliktit sirian. Këshilli bën thirrje për de-eskalimin e menjëhershëm të konfliktit në Siri për të parandaluar hyrjen në një konfrontim ushtarak ndërkombëtar dhe të ndalojë vuajtjet e mëtejshme. Këshilli shpreh keqardhje për humbjet e jetëve. Gjithashtu, pranon situatën e rëndë me të cilën ballafaqohet Turqia për shkak të ofensivës në Idlib dhe pasojat e saj”, thuhet në deklaratë.
Më tej thanë se mbështesin rezultatin e takimit të djeshëm midis presidentëve të Turqisë dhe Rusisë në Moskë dhe u bënë thirrje të gjitha palëve t’i përmbahen marrëveshjes së armëpushimit, e cila do të garantojë mbrojtje për civilët në tokë dhe në ajër, duke lejuar kështu që bashkësia ndërkombëtare të sigurojë ndihmë humanitare pa ndërprerje.
“Megjithëse Bashkimi Evropian njeh praninë e grupeve terroriste në rajon, sulmet pa dallime dhe shkatërrimi i infrastrukturës civile, përfshirë objektet shëndetësore, shkollat dhe vendbanimet e personave të zhvendosur nga regjimi sirian dhe aleatët e tij, nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë dhe duhet të ndalojnë. Ne ritheksojmë qëndrimin e BE-së që të gjithë autorët e krimeve të luftës dhe krimet kundër njerëzimit duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Ata i bënë thirrje regjimit sirian të kthehet në tryezën e bisedimeve, duke theksuar se çdo zgjidhje e zbatueshme për konfliktin kërkon një tranzicion të mirëfilltë politik.
Takimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, ku mori pjesë Josep Borrell, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë u mbajt sot në Zagreb.
Eunews.al

