Si u mundua PD dhe Syri të manipulojnë familjen e heroit Tahir Sinani mbi një shkresë të dalë nga OVL të UÇK
Gucati: U ngatërrua Tahir Sinani me Tahir Sinanajn, dokumenti u keqpërdor politikisht
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar lidhur me dokumentin e publikuar së fundmi, duke sqaruar se në të nuk përmendet heroi Tahir Sinani, por një person tjetër me emrin Tahir Sinanaj.

Në një lidhje direkte për A2 CNN, Gucati tha se firma në dokument është autentike, por theksoi se është bërë një ngatërrim i identitetit, i cili sipas tij është shfrytëzuar për qëllime politike.
“Për opinionin shqiptar, nuk është Tahir Sinani. Është keqpërdorur emri për arsye politike. Ky është Tahir Sinanaj. Tahir Sinani është nga Tropoja, ndërsa Tahir Sinanaj është nga Kukësi”, u shpreh Gucati.
Ai bëri të ditur se ka biseduar me vëllain e heroit, Skënder Sinani, dhe se çështja është sqaruar. Sipas tij, dokumenti nuk duhej të bëhej publik pa u verifikuar më parë identiteti i personit të përmendur.
Gucati shtoi se Tahir Sinanaj figuron në dokumentacion për vitin 1999, ndërsa heroi Tahir Sinani kishte qenë pjesë e luftës që në vitin 1998 dhe, sipas tij, nuk ka marrë pagesa në lekë. “Këtu është bërë gabimi i madh. Njerëzit nuk janë sqaruar mirë dhe për këtë arsye letra nuk është dashur të dalë fare derisa të sqarohej se për kë bëhej fjalë”, deklaroi ai.







