Hita: Policia me plan të posaçëm për sezonin veror, zero tolerancë ndaj shkeljeve në det dhe rrugë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, prezantoi masat për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror 2026, duke theksuar se strukturat e policisë do të jenë të angazhuara me kapacitete të shtuara në të gjithë vendin.
Hita u shpreh se rritja e numrit të turistëve sjell edhe më shumë përgjegjësi për agjencitë e zbatimit të ligjit, ndërsa nënvizoi rëndësinë e komunikimit profesional dhe etik me qytetarët dhe vizitorët.
“Uniforma jonë duhet të përfaqësojë autoritetin e ligjit, por njëkohësisht edhe mikpritjen dhe mirësjelljen si vlera të shoqërisë shqiptare”, deklaroi ai.
Sipas tij, Policia do të vijojë patrullimet me biçikleta në zonat turistike, ndërsa Njësia Policore Detare do të jetë në gatishmëri 24 orë në ditë, e mbështetur këtë vit edhe nga monitorimi me dronë përgjatë vijës bregdetare.
Hita paralajmëroi se nuk do të tolerohet asnjë shkelje nga mjetet lundruese që rrezikojnë pushuesit, ndërsa kontrollet ndaj motorëve të ujit, skafeve dhe anijeve turistike do të jenë të vazhdueshme.
Ai bëri të ditur se Policia do të ushtrojë kontrolle edhe ndaj operatorëve ekonomikë në zonat turistike, si dhe do të vijojë goditjen e krimeve mjedisore dhe ndotjes akustike.
Sa i përket sigurisë rrugore, Hita deklaroi se do të shtohet përdorimi i teknologjisë për evidentimin e shkelësve të Kodit Rrugor dhe se nuk do të ketë ndalime të pajustifikuara të drejtuesve të mjeteve.
Në përfundim, ai apeloi për bashkëpunim mes institucioneve dhe qytetarëve për të garantuar një sezon turistik të sigurt dhe të suksesshëm.







