Metsola paralajmëron eurodeputetët: Mos ia delegoni vendimmarrjen inteligjencës artificiale

04 Nov 2026 • 17:23
Shpërndaje:

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, paralajmëroi eurodeputetët të mos mbështeten tepër tek inteligjenca artificiale gjatë hartimit të ligjeve dhe marrjes së vendimeve. Deklarata vjen ndërsa institucioni po përgatit udhëzime të reja për përdorimin e kësaj teknologjie nga ligjvënësit.

Duke folur të mërkurën në një aktivitet mbi përdorimin e IA-së në Parlament, Metsola theksoi se teknologjia mund të ndihmojë punën parlamentare, por nuk mund të zëvendësojë debatin, gjykimin dhe mendimin kritik.

“Hartimi i një amendamenti me ndihmën e IA-së nuk mund ta zëvendësojë në thelb debatin konstruktiv me një koleg”, u shpreh ajo. Metsola shtoi se edhe kërkimi juridik përmes këtyre mjeteve nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë njerëzore për marrjen e vendimeve të vështira.

Reklamë Ola

Presidentja kërkoi transparencë për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe llogaridhënie demokratike në procesin ligjvënës. Sipas saj, publiku duhet të dijë kur përdoret kjo teknologji, ndërsa përgjegjësia mbetet te përfaqësuesit e zgjedhur.

Në të njëjtin aktivitet, sekretari i përgjithshëm i Parlamentit Europian, Alessandro Chiocchetti, njoftoi se institucioni po ndërton një mjet të vetin të inteligjencës artificiale për punë me materiale të ndjeshme. Sistemi do të funksionojë në infrastrukturën e brendshme të Parlamentit.

Reklamë InterMedika

Sipas POLITICO-s, modelet komerciale si ChatGPT, Claude dhe Llama e Meta-s mund të vijojnë të përdoren për detyra më pak të ndjeshme.

Zyrtarët e Parlamentit kanë ngritur shqetësime për shtimin e amendamenteve të shkruara me inteligjencë artificiale, përfshirë raste kur tekstet u referohen ligjeve që nuk ekzistojnë. Chiocchetti përmendi një eurodeputet që kishte marrë këshillë juridike të pasaktë nga IA-ja, duke thënë se juristëve të institucionit iu deshën dy ditë për të provuar gabimin e ChatGPT-së.

Administrata pritet t’ua paraqesë “shumë shpejt” drejtuesve të lartë udhëzimet e reja. Udhëzimet ekzistuese për stafin datojnë nga viti 2024.

Chiocchetti shpjegoi se qasja mbështetet në tri kërkesa kryesore: deklarimin e përdorimit të IA-së sipas rregullave, mospërfshirjen e materialeve të ndjeshme në mjete publike dhe verifikimin e çdo përmbajtjeje përpara publikimit apo dorëzimit.

Ai tha se synon ta përdorë teknologjinë për të ndihmuar në përpunimin e mijëra amendamenteve, por hartimi dhe shqyrtimi i ligjeve duhet të mbeten në duart e eurodeputetëve. Sipas tij, rreziku është që debati politik t’i delegohet një chatboti.

Chiocchetti theksoi se çdo tekst që hidhet në votim duhet të jetë shkruar dhe kontrolluar nga njerëz të gatshëm të mbajnë përgjegjësi për të. Qytetarët, shtoi ai, duhet të mund të identifikojnë se kush e ka marrë një vendim dhe t’i kërkojnë llogari.