Kancelari gjerman Friedrich Merz ka dënuar ashpër vizitën e ish-kancelarit Gerhard Schröder në Moskë, ku ky i fundit mori pjesë në festimet për 74-vjetorin e presidentit rus Vladimir Putin.
Përmes zëvendëszëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Meyer, Merz u shpreh këtë të premte se ishte “thellësisht i indinjuar” nga takimi mes ish-kreut të qeverisë gjermane dhe presidentit rus.
“Vetëm Putini është përgjegjës për luftën në Ukrainë”, deklaroi Meyer, duke theksuar se urdhrat e presidentit rus shkaktojnë çdo ditë vuajtje të mëdha, viktima civile, familje të ndara dhe njerëz të vrarë apo të plagosur.
Sipas zëdhënësit, kancelari Merz e konsideron “pothuajse imorale” që Schröder të festojë me Putinin në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon.
Takimi mes dy politikanëve u zhvillua më 7 tetor në Moskë, me rastin e ditëlindjes së 74-t të presidentit rus.
Sipas Kremlinit, Putin kishte mësuar nga mediat se ish-kancelari gjerman ndodhej në kryeqytetin rus për arsye biznesi dhe kishte vendosur ta ftonte mikun e tij të vjetër në rezidencën personale.
Kremlini publikoi edhe fotografi nga takimi, ku të dy shfaqeshin duke u përshëndetur.
Vizita shkakton reagime të forta në Gjermani
Kritikat ndaj Schröder nuk kanë ardhur vetëm nga kancelari Merz. Edhe zëvendëskancelari gjerman Lars Klingbeil, njëkohësisht drejtues i Partisë Socialdemokrate, e cilësoi vizitën si “krejtësisht të papranueshme”.
Schröder, i cili drejtoi Gjermaninë nga viti 1998 deri në vitin 2005, ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Putinin edhe pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Ish-kancelari ndodhej në Moskë edhe për angazhimet e tij të biznesit. Së fundmi, ai është emëruar anëtar i bordit mbikëqyrës të Hyperglobus, një zinxhir supermarketesh në Rusi që më parë ishte pjesë e grupit gjerman Globus.
Më 7 tetor, Schröder vizitoi një prej supermarketeve të kompanisë në Moskë, ku u prit nga punonjësit.
Lidhjet e tij me presidentin rus dhe kompanitë ruse kanë shkaktuar prej vitesh polemika në Gjermani, ndërsa vizita e fundit ka rikthyer debatet për marrëdhëniet me Moskën gjatë luftës në Ukrainë.


