×
Tuesday, June 9, 2026

Mbledhja e Asamblesë në Elbasan: Rama akuzon opozitën për rrezik të negociatave me BE

May 10, 2026


Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partia Socialiste në Elbasan, foli për ndikimin e opozitës në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ai e cilësoi opozitën si “një katastrofë ambulante”, duke theksuar se mungesa e saj si alternativë e fortë krijon hapësirë për negativitet që mund të ndikojë në këtë proces.

“Vakumi i krijuar për shkak se opozita zyrtare është një katastrofë ambulante mund të mbushet me negativitet dhe pastaj edhe me një energji që mund ta pengojë në këtë rrugë”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se shumica aktuale parlamentare është thelbësore për ecurinë e negociatave, duke nënvizuar se janë miratuar një sërë ligjesh në funksion të integrimit evropian.

“Ne kemi kaluar 27 ligje që ishin një paketë vetëm për negociatat… Janë pafund detyra për të përputhur legjislacionin me standardet e Bashkimit Europian”, tha ai.

Rama paralajmëroi se nëse opozita do të kishte më shumë ndikim në Parlament, procesi mund të ishte bllokuar.

“Tani e përfytyroni ju sikur ne të kishim 75 dhe të tjerat kishin molotovarët se ku do ishim sot ne? Atëherë po, do na ishin bllokuar negociatat”, deklaroi ai.

Në fund, ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së qytetarëve për këtë proces, duke e konsideruar forcën e votës si kyçe për avancimin e negociatave.

“Prandaj duheshin ato vota… jo për këto karrige, por për atë forcë që ato vota kanë në Parlament, që ne t’i realizojmë negociatat”, përfundoi Rama.




Comments are closed.