×
Sunday, September 8, 2024

Mbahet mbledhja e parë e Qeverisë së re të Kosovës

February 4, 2020


Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, në zyrën e kryeministrisë zyrtarisht ka marrë detyrën e kryeministrit nga zv/kryeministri i deritanishëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Kurti pranoi detyrën e re zyrtarisht një ditë pasi në Kuvendin e Kosovës u votua me shumicë deputetësh, ku gjithashtu është votuar edhe nga Pacolli.

Duke ia dorëzuar detyrën e re, gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, Pacolli i tha Kurtit se Kosova ka nevojë për sinqeritet dhe profesionalizëm në qeverisje, ndërsa tha se “këto nuk i mungojnë Kurtit”, të cilit i premtoi mbështetjen e tij aty ku duhet në të mirë të vendit.

Kurti pas shtrëngimit të duarve me Pacollin dhe pasi u ul në karrigen e kryeministrit, tha se dje ka realizuar telefonatë me kryeministrin e deritanishëm Ramush Haradinaj, i cili e ka njoftuar se do të mungojë në këtë takim për shkak se gjendet në SHBA.

Pas përfundimit të ceremonisë së pranim-dorëzimit, është mbajtur mbledhja e parë ceremoniale e Qeverisë, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Në fjalën e tij drejtuar kabinetit të ri qeverisës, Kurti u tha se “ky kabinet i qytetarëve është i qytetarëve dhe se ne punojmë në emër të tyre e për ta”, gjithashtu tha se energjia dhe entuziazmi i qytetarëve do të jenë motori i punës së kësaj qeverie.

“100 ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim e përkushtim maksimal. Karriget i kemi, por jam i bindur se më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punëve të shumta që na presin. Programi jonë qeverisës është ambicioz aq sa janë edhe pritjet e qytetarëve. Unë nuk kam dyshim se ne kemi aftësinë, guximin dhe shkathtësitë të cilat kërkohen prej nesh”, theksoi Kurti.

Kurti u bëri thirrje ministrave t’u japin kuptim pozitës së ministrit siç nuk ka pasur asnjëherë pas luftës. Ai tha se ministri i bujqësisë duhet më shumë kohë të harxhojë me fermerët, e ai i shëndetësisë me doktorët. Gjithashtu Kurti shtoi se partitë do të mbesin në Kuvend, ndërsa në qeveri nuk do të ketë diferencime partiake por do të punohet si ekip.

“Në këtë qeveri nuk do të ketë LVV, LDK… do të jemi Qeveria e Republikës së Kosovës që punon bashkë për të mirën e përbashkët. Në këtë drejtim dera ime është e hapur për çdo ditë, në çdo orë e çdo minutë. Asgjë nuk është më e rëndësishme për mua sesa realizimi i programit qeverisës dhe zbatimi i prioriteteve të qytetarëve”, tha Kurti.

Në fund të mbledhjes Kurti paralajmëroi se e nesërmja do të jetë ditë e fillimit të menjëhershëm me punë në mënyrë të arritjes së planeve për 100 ditëshin e qeverisjes.

Albin Kurti u zgjodh dje pasdite si kryeministër nga 66 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës. Pas tij, në një tjetër seancë të jashtëzakonshme, Kryetare e re e Kuvendit është zgjedhur deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani.

VV dhe LDK arritën marrëveshje këtë të diel për të bashkëqeverisur, pas më shumë se katër muajsh takime e diskutime në përpjekje për ta finalizuar marrëveshjen për koalicion.

Qeveria me kryeministër Kurtin do t’i ketë 15 ministri, nga gjashtë për partnerët e koalicionit VV-LDK si dhe tre ministri janë ndarë për minoritetet e vendit.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments