Mazhoranca nuk tërhiqet nga harta me 46 bashki, Mazniku: Shkrirja e bashkive të vogla nuk heq shërbimet

01 Sep 2026 19:05
Shpërndaje:

Mazhoranca socialiste nuk tërhiqet nga propozimi për hartën e re territoriale me 46 bashki, pavarësisht kundërshtimeve dhe protestave të zhvilluara nga qytetarët në disa prej bashkive të vogla që parashikohet të shkrihen.

Arbjan Mazniku, një prej hartuesve të reformës nga Partia Socialiste, pranoi për Vizion Plus se kundërshtimet ndaj ndryshimeve ishin të pritshme, por argumentoi se reforma synon të fuqizojë bashkitë dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve dhe investimeve në territor.

“Ka disa palë të cilët fitojnë dhe ka disa palë të cilët fitojnë më pak ose ndihen të rrezikuar. Ne jemi nisur me një reformë nga këshillimi që kemi për të siguruar që qytetarët të marrin shërbime më të mira, që investimet në terren të bëhen më të mëdha dhe më eficiente, që punët publike të administrohen më mirë”, tha Mazniku.

Reklamë Ola

Një prej shqetësimeve kryesore të ngritura nga qytetarët lidhet me mundësinë që, pas shkrirjes së bashkive të vogla, ata të detyrohen të udhëtojnë drejt qyteteve më të mëdha për të marrë shërbimet e pushtetit vendor. Mazniku e hodhi poshtë këtë mundësi, duke theksuar se reforma ndryshon organizimin administrativ, por jo afërsinë e qytetarëve me shërbimet.

“Asnjë shërbim i cili sot ofrohet në njësinë e tyre administrative apo në bashkinë e sotme nuk do t’u ofrohet në qytetin që krijohet me ligjin e ri. Ligji i ri krijon bashki, krijon qytetet dhe njësitë administrative. Nuk i ndërron asgjë qytetarit me reformën e re në raport me afërsinë e marrjes së shërbimit”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Për të argumentuar efektet që mund të sjellë bashkimi i njësive më të vogla me bashkitë e mëdha, Mazniku përmendi Dardhën në Korçë dhe Gjinarin në Elbasan. Sipas tij, përfshirja e këtyre zonave në bashkitë përkatëse ka sjellë përmirësime në infrastrukturë, turizëm dhe promovimin e tyre si destinacione turistike.

“Në zona si Dardha e Korçës apo Gjinari i Elbasanit, pasi janë bërë pjesë e bashkisë, atje është përmirësuar infrastruktura, është përmirësuar turizmi, është përmirësuar marketingu i këtyre zonave si zona turistike”, tha Mazniku.

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, reforma territoriale pritet të jetë një prej çështjeve që do të prodhojë debate në Kuvend, ndërsa socialistët pritet të vijojnë konsultimet dhe diskutimet në bashkitë që preken nga ndryshimet.

“Do të ketë debate e diskutime në territor, në bashkitë respektive. E rëndësishme është që ne t’u shpjegojmë qytetarëve të të gjitha zonave që kemi vënë përpara një propozim i cili sjell, nga njëra anë, fuqizimin e bashkive, fuqizimin e mendësisë që bashkitë t’u shërbejnë në mënyrë më eficiente qytetarëve”, u shpreh Mazniku.

Partia Socialiste depozitoi më 31 korrik në Parlament propozimin për hartën e re territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive me 15, duke e çuar atë në 46.

Propozimi ka shkaktuar kundërshtime në disa zona të vendit, ku qytetarët kanë dalë në protesta kundër shkrirjes së bashkive të tyre. Mes zonave ku janë regjistruar reagime janë Përrenjasi, Klosi, Cërriku dhe Poliçani.