Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimet për ndryshime në tre ligje kyçe që rregullojnë sistemin financiar në Shqipëri, me synimin për modernizimin e sektorit dhe përafrimin e tij me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Në një deklaratë për mediat, Malaj tha se ndryshimet prekin ligjin për sistemin e pagesave, ligjin për shërbimet e pagesave dhe ligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë, duke theksuar se ato janë pjesë e reformave që lidhen edhe me procesin e integrimit evropian.
“Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave kemi propozuar disa ndryshime në tre ligje të cilat lidhen me sistemin financiar në Shqipëri. Konkretisht kemi propozuar ndryshime për ligjin e sistemit të pagesave, për ligjin e shërbimeve të pagesave, si dhe disa ndryshime në ligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh ministri.
Sipas Malajt, qëllimi i këtyre ndryshimeve është jo vetëm modernizimi i sistemit financiar, por edhe harmonizimi i plotë i kuadrit ligjor shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian.
“Këto ndryshime kanë si qëllim jo vetëm modernizimin e sistemit aktual financiar në Shqipëri, por janë edhe në funksion të përafrimit të kuadrit tonë ligjor me direktivat e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, ato i shërbejnë edhe procesit të negociatave në kuadër të Kapitullit 4, që lidhet me lëvizjen e lirë të kapitalit”, tha ai.
Ministri theksoi se paketa ligjore pritet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset, duke ulur kostot e transaksioneve financiare dhe duke rritur nivelin e sigurisë në sistem.
“Ndër përfitimet kryesore mund të përmend reduktimin e kostove të transaksioneve financiare, mbrojtje më të mirë të konsumatorëve, rritje të sigurisë në sistemin financiar, si dhe nxitje të konkurrencës dhe efikasitetit në treg”, deklaroi Malaj.
Sipas tij, një sistem financiar më modern dhe më i sigurt do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Pa diskutim që këto ndryshime jo vetëm përmirësojnë sistemin aktual financiar të Shqipërisë, por ndikojnë edhe në ecurinë ekonomike të vendit, pasi një sistem financiar i shëndoshë dikton edhe një ekonomi të shëndoshë”, përfundoi ministri i Financave.