Lufta kundër korrupsionit, Pirdeni: Progres me ligjet për lobimin dhe konfliktin e interesit

14 Nov 2026 • 00:18
Shpërndaje:

Koordinatorja Kombëtare Kundër Korrupsionit dhe ministrja e Administratës Publike, Adea Pirdeni, ka vlerësuar rezultatet e projektit “Action against Economic Crime in Albania”, të zbatuar në kuadër të Fazës III të programit “Horizontal Facility”, një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës.

Deklaratat u bënë gjatë takimit të pestë dhe përfundimtar të Komitetit Drejtues të projektit, i zhvilluar në Tiranë, ku u diskutuan rezultatet e arritura dhe prioritetet për vijimin e reformave kundër korrupsionit.

Sipas Pirdenit, projekti ka dhënë mbështetje për forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional, në përputhje me standardet europiane.

Reklamë Ola

Ligjet për lobimin dhe konfliktin e interesit, ndër rezultatet kryesore

Ministrja veçoi miratimin e ligjeve për konfliktin e interesit dhe lobimin si dy nga rezultatet kryesore të mbështetjes së ofruar përmes projektit.

Reklamë InterMedika

Këto ndryshime ligjore synojnë forcimin e mekanizmave për parandalimin e korrupsionit dhe rritjen e transparencës në veprimtarinë e institucioneve publike.

Një tjetër rezultat i rëndësishëm, sipas Pirdenit, është vlerësimi i riskut të korrupsionit në sistemin e arsimit parauniversitar.

Ky proces ka mundësuar identifikimin e problematikave dhe përcaktimin e masave që synojnë adresimin e rreziqeve të evidentuara në këtë sektor.

Vijimi i reformave sipas standardeve europiane

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi vazhdimësinë e bashkëpunimit me partnerët europianë dhe prioritetet për zbatimin e mëtejshëm të reformave.

Pirdeni theksoi rëndësinë e ruajtjes së rezultateve të arritura dhe forcimit të kapaciteteve institucionale në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Takimi përmbyllës i Komitetit Drejtues shënon përfundimin e kësaj faze të projektit, ndërsa zbatimi i masave të identifikuara dhe përafrimi me standardet europiane mbeten pjesë e prioriteteve të institucioneve shqiptare.