Bypass-i i Tiranës, mbi 50% e punimeve të përfunduara. Rama: Do të lehtësojë trafikun në kryeqytet

06 Nov 2026 • 13:37
Shpërndaje:

Punimet për ndërtimin e Bypass-it të Tiranës kanë tejkaluar nivelin 50%, ndërsa përfundimi i projektit është parashikuar për shtatorin e vitit 2027. Lajmi u bë i ditur gjatë një inspektimi në kantier nga kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli.

Gjatë inspektimit, ministri Karakaçi deklaroi se punimet po vijojnë me ritme të shpejta dhe se synimi është përfundimi i projektit përpara afatit kontraktual.

“Jemi në mbi 50 për qind të nivelit të punimeve. Ky segment do të jetë një nyje strategjike e infrastrukturës rrugore, që do të lidhë akset e Korridorit Blu, si dhe autostradën Tiranë–Durrës me Tiranë–Elbasan”, u shpreh ministri.

Reklamë Ola

Sipas tij, ndërtimi i këtij aksi do të mundësojë që një pjesë e konsiderueshme e automjeteve që udhëtojnë drejt jugut të vendit të shmangin hyrjen në kryeqytet, duke reduktuar ngarkesën në rrugët ekzistuese.

Karakaçi theksoi gjithashtu se projekti nuk kufizohet vetëm në ndërtimin e autostradës, por përfshin edhe lidhjen e fshatrave dhe njësive administrative përgjatë itinerarit.

Reklamë InterMedika

“Element i rëndësishëm është që projekti është i integruar. Nuk kemi vetëm një autostradë, por kemi edhe ndërlidhjen e të gjitha fshatrave dhe njësive administrative. Projekti nuk i lë jashtë këto njësi apo banorët”, deklaroi ai.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama e cilësoi Bypass-in e Tiranës si një investim të rëndësishëm për përmirësimin e qarkullimit rrugor dhe zhvillimin e zonave përreth.

Sipas Ramës, përfundimi i këtij aksi do të ndikojë në lehtësimin e trafikut në kryeqytet, duke krijuar mundësi që automjetet në tranzit të vijojnë udhëtimin pa kaluar përmes Tiranës.

“Do të jetë një aks që do ta çlirojë kryeqytetin nga një ngarkesë e tepërt që vjen si pasojë e mungesës së këtij aksi. Një pjesë e fluksit do të vazhdojë lirshëm drejt jugut, ndërsa pjesa tjetër do të ketë më shumë lehtësi për të hyrë dhe dalë nga kryeqyteti”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te procesi i shpronësimeve, duke garantuar se kompensimi i pronarëve të prekur nga ndërtimi do të kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ai vlerësoi gjithashtu se infrastruktura e re pritet të ndikojë pozitivisht në vlerën e pronave në zonat përreth.

Bypass-i i Tiranës konsiderohet një nga projektet kryesore të infrastrukturës rrugore, pasi do të krijojë një lidhje alternative ndërmjet akseve kombëtare dhe do të mundësojë shpërndarjen më efikase të trafikut në drejtim të jugut dhe veriut të vendit.

Sipas afateve të deklaruara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, projekti pritet të përfundojë në shtator të vitit 2027, megjithëse autoritetet synojnë përshpejtimin e punimeve.