×
Wednesday, December 11, 2024

Lotë për largimin e Britanisë së Madhe nga BE

February 1, 2020


Ajo që shumë persona nuk e besonin është realitet. Mbretëria e Bashkuar i ktheu kurrizin Bashkimit Europian. Brexit nuk shpjegohet dot me arsye, por me ndjesi.

Downing Street në Londër me ngjyrat e flamurit britanik në orët para daljes nga BE

Emocionet janë një moment i rrallë në selinë e Brukselit. Por këto ditë, kur ndarja me Britaninë e Madhe bëhej gjithnjë e më reale, shumë gjëra ishin ndryshe. Unë kam raportuar për Brexitin që nga koha e referendumit, por më duhet të them se kur të enjten në mbrëmje Grand Place në zemër të Brukselit shkëlqeu për herë të fundit me ngjyrat e flamurit britanik, dhe disa britanikë mbanin lart për herë të fundit flamujt e BE ndjeva rrënqethje. Trishtim, gati një atmosferë zie në Bruksel, sepse pas 47 vitesh një vend kaq i rëndësishëm, pragmatik dhe i suksesshëm thotë lamtumirë.

Për herë të parë nga koha si korrespondent në Bruksel pashë, se si në Parlamentin Europian këndoheshin spontanisht këngë në anglisht dhe rridhnin lotët. Ka edhe një lidhje emocionale, e jo vetëm racionale me Britaninë e Madhe, vendin që ka lënë gjurmën e vet në Bashkimin Europian.

Edhe një herë – bëhet fjalë për ndjesi

Simpatia për njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar do të mbetet. Por tek unë personalisht do të mbetet edhe mosmiratimi për Brexit. Megjithë shumë debate me përkrahësit e Brexit, nuk e kam kuptuar, se cili është avantazhi real që do të krijohej nga një izolim i tillë. Me sa duket bëhet fjalë për një ndjesi tek shumë njerëz në Britaninë e Madhe, me në krye populistin, kryeministrin Boris Johnson. Ndjesia e të qenit i pavarur, i moskomanduar. Ndjesia se je zemra e një perandorie, që sundon oqeanet dhe jo pjesë e një fuqie të madhe me emrin Europë e të organizuar si bashkësi. Një delegate e një partie konservatore në një kongres të tyre më tha njëherë, se ajo do të dalë nga BE “sepse ne jemi britanikë”, – “because we are british”. Ky vetëbesim, ky qëndrim allasoj më duket se është lajtmotivi për Brexit, dhe grindjen disa dekadëshe në Britaninë e Madhe për BE dhe Europën.

Brexit nuk është fundi

E këtu nuk ndihmojnë as argumentat e qëndrueshëm, se britanikët që nga viti 1973 nuk u komanduan, por ishin të barabartë, dhe në disa tema madje pjesë e privilegjuar e BE-së. Për disa politikanë, Brexit është si një religjion me premtimin e shenjtë të shërimit. Kur të kemi dalë, gjërat do të bëhen më mirë vërtet? Populizmi fitoi. Ai ka fituar si në Britaninë e Madhe ashtu edhe në SHBA. Nuk është rastësi, që presidenti amerikan dhe kryeministri britanik me përfytyrimet e tyre të cuditshme politike janë miqtë më të mirë.

Brenda këtij trishtimi për largimin e pakuptimtë të tyre përzihet edhe edhe një lloj besimi, që në fund është arsyeja ajo që do të fitojë. Nëse Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut nuk i kanë punët mirë ekonomikisht, si atëherë në vitin 1973, atëherë ndoshta njerëzit do të kujtohen për bashkësinë e madhe në kontinent.

Kur të kuptohet, se pesha politika e Britanisë së Madhe pas Brexitit do të zvogëlohet, atëherë ndoshta në Londër do të kujtohet gabimi i ndarjes nga BE. Një rianëtarësim nuk është përjashtuar. Për mendimin tim, miqtë britanikë i futen pa nevojë një aventure të rrezikshme. Ata u bien pas premtimeve jo reale. Kjo më bën të rrënqethem…Brexit është pra një ndjesi./ Bernd Riegert

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments