Llalla u dënua me 2 vite burg, ambasada britanike përshëndet vendimin e Gjykatës
Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.Gjithashtu atij i hiqet e drejta për 5 vjet nga ushtrimi i posteve publike.
Pas këtij vendimi ka reaguar edhe ambasada e Britanisë në Tiranë, e cila ndërsa përshëndet vendimin shprehet se atje ku ka vullnet reformat japin rezultat.
“Mirëpresim vendimin e sotëm të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Tregon se, atje ku ka vullnet, reformat japin rezultat. Kur një sektor i drejtësisë funksionon siç duhet, askush nuk është mbi ligjin”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës.
Llalla është zyrtari më i lartë i dënuar ndonjëherë në Shqipëri. Atij do t’i konfiskohet pasuria: Një apartament në Durrës dhe 3 tokë arë janë pronat që janë sekuestruar dhe kjo me kërkesën e SPAK.
Eunews.al